Mickoski i përgjigjet Ahmetit: BDI-ja i ndan shqiptarët si askush tjetër

Driton Zenku
Botuar nga Driton Zenku 1 Korrik, 2024 19:16

Mickoski i përgjigjet Ahmetit: BDI-ja i ndan shqiptarët si askush tjetër

Deklarata e kryetarit të BDI-së, Ali Ahmeti, se Qeveria e re nuk është legjitime për shkak se nuk është respektuar vullneti i shqiptarëve, ka ngjallur reagimin e partive në pushtet. Për kryeministrin Hristian Mickoski, çdokush ka të drejtë të shpreh pakënaqësitë në mënyrë demokratike, por në rast se pakënaqësia shprehet duke dëmtuar karakterin unitar të shtetit, ai paralajmëroi se Qeveria do të reagojë, Mickoski akuzoi BDI-në se po ndan shqiptarët si askush më parë.

“Por, nëse kjo pakënaqësi është në dëm të karakterit unitar dhe në dëm të ligjit dhe Kushtetutës, atëherë ne si Qeveri do të duhet ta mbrojmë atë, kuptohet. Unë çuditem si BDI-ja, udhëheqësia e BDI-së, nuk mori mësim se është e nevojshme që ta shfrytëzojnë këtë periudhë në opozitë, që të reformohen, të freskojnë kuadrot, programin dhe në zgjedhjet e ardhshme të ofrojnë kuadro dhe programe të reja. Çuditem se si udhëheqësia e BDI-së i ndan shqiptarët, si askush më parë në të kaluarën në Maqedoni, në shqiptarë të duhur dhe jo të duhur. Këtë po e bën udhëheqësia e BDI-së që thirret në legjitimitetin e shqiptarëve.”, – deklaroi kryeministri, Hristijan Mickoski.

Taravari i përgjigjet Ahmetit: Shfrytëzoje periudhën në opozitë për reformim

Ndërkohë ndaj pyetjes së Ahmetit se nëse oreksi për pushtet e ka shtyrë koalicionin VLEN drejt gabimeve, ka reaguar Arben Taravari. Sipas tij, oreks për pushtet ka pasur vet Ali Ahmeti, pasi ka qëndruar për 22 vite në pushtet, ndërkohë që uroi që të jenë opozitë konstruktive.

“Në qoftë se ka pasur dikush oreks për pushtet është padyshim z.Ahmeti 22 vjet pushtet. Unë i uroj pushtet dhe i uroj që të jetë sa më shumë i relaksuar, të jetë opozitar i vërtetë dhe konstruktiv. E bukura e politikës është që ndonjëherë të jesh në opozitë, e disa herë në pozitë. Tash besoj se disa vite Ahmeti do të punojë me partinë e vet, do të nxjerrë kuadro të cilat kanë kredibilitet dhe besueshmëri tek qytetarët. Testi i parë i jonë është në zgjedhjet lokale. Ja ku janë në 2025.”, – theksoi Arben Taravari nga koalicioni VLEN.

Ademi: BDI-ja asnjëherë nuk i ndan shqiptarët

Ndaj deklaratave të Mickoskit dhe Taravarit ka reaguar nënkryetari i BDI-së, Arbër Ademi, duke u shprehur se BDI-ja nuk i ndanë shqiptarët dhe se si parti gjithmonë kanë ruajtur unitetin e shtetit.

“BDI-ja gjatë gjithë veprimtarisë politike ka mbrojtur karakterin unitar të shtetit duke respektuar Kushtetutën dhe ligjet pozitive në vend. BDI-ja nuk i ndanë shqiptarët, por gjithmonë ka bërë thirrje për bashkim e jo për vazalitet të shqiptarëve ndaj asnjë force politike në vend.”, ka shkruar Ademi. Ai ka shtuar se Ahmeti asnjëherë nuk ka pasur oreks për pushtet dhe këtë e ka dëshmuar duke mos marrë asnjë funksion në ekzekutiv për dekada me radhë, por duke i dhënë hapësirë kuadrove të reja.

Driton Zenku
Botuar nga Driton Zenku 1 Korrik, 2024 19:16