Mickoski jo plotësisht dakord me Agelerin: Marrëveshja me Bullgarinë mund të negociohet

Driton Zenku
Botuar nga Driton Zenku 1 Korrik, 2024 19:07

Mickoski jo plotësisht dakord me Agelerin: Marrëveshja me Bullgarinë mund të negociohet

Kryeministri Hristijan Mickoski ka komentuar deklaratat e ambasadores amerikane Angela Ageler, e cila tha se nuk ka negociata të reja për agjendën e BE-së, as për Marrëveshjen e Prespës e as për Bullgarinë, pasi që ato marrëveshje tashmë janë bërë dhe nuk ka rinegociim. Ndërkohë, sa i përket ndryshimeve kushtetuese, Mickoski kërkon që Marrëveshjes për Fqinjësi të Mirë me Bullgarinë t’i shtohet ndonjë propozim, që përfshin kërkesat e popullit maqedonas në Bullgari.

HRISTIJAN MICKOSKI, KRYEMINISTËR I MAQEDONISË SË VERIUT

“Shikoni, në lidhje me Prespën, ne edhe para shumë vitesh e kemi thënë qëndrimin tonë, ndërsa kjo është se kjo marrëveshje është realitet dhe se është pjesë e rendit ligjor dhe kushtetues të RMV-së si shtet dhe këtu nuk do të ketë askush asnjë dilemë, ndërsa sa i përket ndryshimeve kushtetuese që janë pjesë e të ashtuquajturit propozim francez, që është shtesë e marrëveshjes për Fqinjësi të Mirë, respektivisht, rinegociimit të Marrëveshjes për Fqinjësi të Mirë, gjithashtu qëndrimin tonë e dini, se nuk negociojmë diktate dhe ultimatume. Nëse ka pasur mundësi që të rinegociohet marrëveshja për Fqinjësi të Mirë dhe t’i shtohet propozimi francez, nuk shoh arsye se pse mos t’i shtohet propozimi francez plus, apo propozim tjetër që do t’i përfshijë kërkesat që i ka populli maqedonas, maqedonasit në Bullgari”.

I pari i Qeverisë ka komentuar edhe deklaratat e fundit të liderit të BDI-së, Ali Ahmeti, i cili tha se kjo qeveri nuk do të ketë legjitimitet etnik dhe se do të demonstrojnë pakënaqësinë e tyre me atë siç tha vendim të padrejtë dhe mospërfillje të legjitimitetit. Hristijan Mickoski theksoi se çdokush ka të drejtë të shpreh pakënaqësitë në mënyrë demokratike, por paralajmëroi se qeveria do të reagojë në rast se pakënaqësia shprehet duke dëmtuar karakterin unitar të shtetit. Ai madje akuzoi BDI-në se po ndan shqiptarët si askush më parë.

HRISTIJAN MICKOSKI,KRYEMINISTËR I MAQEDONISË SË VERIUT

“Por, nëse kjo pakënaqësi është në dëm të karakterit unitar, dhe në dëm të ligjit dhe Kushtetutës, atëherë ne si qeveri do të duhet ta mbrojmë atë, kuptohet. Unë çuditem si BDI, udhëheqësia e BDI-së, nuk mori mësim se është e nevojshme që ta shfrytëzojnë këtë periudhë në opozitë, që të reformohen, të freskojnë kuadrot, programin, dhe në zgjedhjet e ardhshme të ofrojnë kuadro dhe programe të reja. Çuditem se si udhëheqësia e BDI-së i ndan shqiptarët, si askush më parë në të kaluarën në Maqedoni, në shqiptarë të duhur dhe jo të duhur. Këtë po e bën udhëheqësia e BDI-së që thirret në legjitimitetin e shqiptarëve”.

Këto deklarata Mickoski i bëri gjatë vendosjen së gurëthemelit të çerdhes së re në komunën e Butellit në Shkup, i cili tha se ky investim do të kushtojë 100 milion denarë.
/SHENJA/

Driton Zenku
Botuar nga Driton Zenku 1 Korrik, 2024 19:07