OKB vlerëson se 250 mijë njerëz do të detyrohen të largohen nga Khan Younis

Driton Zenku
Botuar nga Driton Zenku 2 Korrik, 2024 19:52

OKB vlerëson se 250 mijë njerëz do të detyrohen të largohen nga Khan Younis

Agjencia e OKB-së për Refugjatët Palestinezë në Lindjen e Afërt (UNRWA) njoftoi se për shkak të sulmeve të Izraelit parashikohet që 250 mijë njerëz do të detyrohen të largohen nga qyteti Khan Younis në jug të Gazës, transmeton Anadolu.

Në deklaratën e UNRWA-së në llogarinë X të medias sociale thuhet se ushtria izraelite ka bërë sërish paralajmërime për evakuim nga rajoni për njerëzit e zhvendosur “vetëm disa javë pasi palestinezët u detyruan të rikthehen në Khan Younis, në një gjendje të shkatërruar”.

“Palestinezët në rajon po përballen edhe një herë me zhvendosje dhe asnjë vend në Gaza nuk është i sigurt. Parashikojmë që 250 mijë njerëz do të detyrohen të largohen (nga Khan Younis)”, thuhet në deklaratën e UNRWA-së.

– Ushtria izraelite bëri paralajmërimin “evakuoni rajonin”

Zëdhënësi i ushtrisë izraelite, Avichay Adraee dje në një deklaratë nga platforma e medias sociale X, kërkoi nga palestinezët që “për sigurinë e tyre” të evakuojnë urgjentisht zonat në lindje të qytetit Khan Younis.

Palestinezët në lindje të qytetit u detyruan të zhvendosen drejt zonës Al-Mawasi disa orë pas thirrjes së ushtrisë izraelite. Rajoni Al-Mawasi ndodhet në perëndim të Rafah dhe nuk është zonë vendbanimi.

Palestinezët e zhvendosur përpiqen të jetojnë në kushte shumë të vështira në rajonin ku mungojnë infrastruktura, rrjetet e ujërave të zeza, linjat e energjisë elektrike, rrjetet e komunikimit dhe interneti. Njerëzit që lanë shtëpitë e tyre dhe u strehuan në këtë rajon po përjetojnë mungesë të madhe të ujit, ushqimit, pastrimit dhe shërbimeve shëndetësore.

Driton Zenku
Botuar nga Driton Zenku 2 Korrik, 2024 19:52