Akademia e Shkencave të Shqipërisë: Kadareja, busull e përcaktimit evropian të Shqipërisë

Driton Zenku
Botuar nga Driton Zenku 3 Korrik, 2024 20:46

Akademia e Shkencave të Shqipërisë: Kadareja, busull e përcaktimit evropian të Shqipërisë

Akademia e Shkencave të Shqipërisë organizoi një ceremoni solmne në nderim të Ismail Kadaresë. Kryetari i ASHSH, Skënder Gjinushi, e vlerësoi shkrimtarin e madh si një busull të përcaktimit evropian të Shqipërisë.

“Humbja fizike e Kadaresë është pa dyshim humbja më e madhe e letrave shqipe; është një humbje shumë e madhe e kulturës dhe letërsisë evropiane e botërore, e akademizmit shqiptar e atij evropian. Kadareja shkroi nën diktaturë, por vepra e tij përkthehet, lexohet e vlerësohet njëlloj nga lexuesit në të gjithë botën, pavarësisht cilës kulturë apo cilit sistem politik i përkasin”, tha Gjinushi në fjalën e tij.

Sipas kryetarit të Akademisë së Shkencave, fjalën e fundit e thotë lexuesi, dhe lexuesit e Kadaresë, të shtrirë tashmë në tërë botën e në të gjitha gjuhët, vijnë vetëm duke u shtuar; dhe e tillë, me lexues e admirues, do të jetë vepra e Kadaresë për dhjetëvjeçarë me radhë, krahas veprave të pavdekshme të letërsisë botërore, që nuk njohin epokë, por bëjnë epokë.

Gjinushi e renditi Kadarenë krahas figurave të tilla si Skënderbeu, Ismail Qemali e Nënë Tereza si dhe përmendi kontributet e tij si lëvrues i gjuhës duke e çmuar po aq sa Çabejin.

Driton Zenku
Botuar nga Driton Zenku 3 Korrik, 2024 20:46