BDI: “Ndryshimi” largoi shqiptarët edhe nga drejtimi i Fondit Shëndetësor

Driton Zenku
Botuar nga Driton Zenku 3 Korrik, 2024 19:18

BDI: “Ndryshimi” largoi shqiptarët edhe nga drejtimi i Fondit Shëndetësor

BDI shpreh shqetësim të thellë lidhur me vendimin e fundit të Fondit të Sigurimit Shëndetësor për të emëruar, për herë të parë pas shumë vitesh, dy drejtorë vetëm nga komuniteti maqedonas. Ky akt përfaqëson një përpjekje sistematike për të larguar shqiptarët nga institucionet më të ndjeshme dhe vitale të vendit, duke krijuar një precedent të rrezikshëm për përjashtimin e tyre nga proceset vendimmarrëse në nivel shtetëror. Kështu thuhet në reagimin e BDI-së pas emërimit të dy drejtorëve maqedonas në krye të këtij institucioni, ndërkohë që për herë të parë ndodhë që shqiptarët të mos kenë post drejtues të lart në Fondin e Shëndetësisë.

Ky vendim, sipas BDI-së, është një pasojë e drejtpërdrejtë e një qeverie me legjitimitet monoetnik, ku individ jolegjitim zë zgjedhur nga padronët e tyre përfaqësojnë vetëm interesat e ngushta personale dhe klanore e aspak ato shqiptare.

“Një qeveri e tillë, që nuk reflekton diversitetin dhe legjitimitetin  e popujve  tanë, po ndjek një rrugë të rrezikshme që minon parimet themelore të barazisë dhe drejtësisë në shtetin tonë. Ky veprim është në kundërshtim të plotë me frymën e Marrëveshjes së Ohrit dhe mekanizmat mbrojtës për përfaqësimin e barabartë të të gjitha komuniteteve etnike. Ne besojmë se largimi i shqiptarëve nga institucionet kryesore nuk është vetëm një padrejtësi ndaj komunitetit tonë, por gjithashtu një kërcënim për stabilitetin dhe harmoninë ndër-etnike në Maqedoninë e Veriut”, thuhet në reagim.

Ky veprim, thuhet më tej, jo vetëm që margjinalizon shqiptarët, por dëmton edhe strukturën demokratike dhe kohezionin social të vendit. “Institucionet publike duhet të jenë reflektimi i një shoqërie të drejtë dhe të barabartë, ku të gjithë qytetarët, pavarësisht prejardhjes etnike, kanë mundësinë të kontribuojnë dhe të marrin pjesë në mënyrë të barabartë”.

Driton Zenku
Botuar nga Driton Zenku 3 Korrik, 2024 19:18