Hovenier për Radoiçiqin: E konsiderojmë kriminel – duhet ta përjetojë drejtësinë

Driton Zenku
Botuar nga Driton Zenku 3 Korrik, 2024 22:43

Hovenier për Radoiçiqin: E konsiderojmë kriminel – duhet ta përjetojë drejtësinë

Ambasadori i ShBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka folur për sulmin terrorist në Banjskë dhe kryekriminelin Millan Radoiçiq, duke theksuar se qeveria amerikane pret që ata që e kryen këtë akt kriminal të mbajnë përgjegjësi.

Ai ka thënë se Radoiçiq e ka pranuar përgjegjësinë për sulmin në Banjskë, dhe se tashmë është i sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara për lidhje me krimin e organizuar transnacional.

“Nga këndvështrimi ynë, ai është padyshim tashmë i sanksionuar nga Thesari i Shteteve të Bashkuara për shkak të lidhjeve të tij me krimin e organizuar transnacional. Por, ky është indikator i mëtejshëm i kriminalitetit të tij dhe ne presim që ai të mbajë përgjegjësi”, tha Hovenier.

Hovenier gjithashtu ka bërë të qartë se qeveria amerikane e sheh Radoiçiqin si një kriminel, dhe beson se ai duhet të përjetojë drejtësinë për rolin e tij në sulmin në Banjskë.

“Ne e konsiderojmë atë si kriminel dhe besojmë se ai duhet të vuajë – të përjetojë – jo të vuajë – të përjetojë drejtësinë dhe të mbahet përgjegjës për krimin më të fundit që e kreu, që është roli që luajti në sulmin në Banjskë”, ka deklaruar ai.

Ambasadori ka shtuar se përgjegjësia për këtë sulm nuk i përket vetëm Radoiçiqit, por edhe individëve të tjerë të përfshirë, dhe ka shprehur shpresën që autoritetet në Serbi të zbatojnë ligjin dhe të ndjekin ata për të mbajtur ata përgjegjës për veprat e tyre.

“Por unë gjithashtu do të thosha se ai nuk është i vetmi. Dua të them, se qartazi ka njerëz të tjerë, përveç  Radoiçiqit të përfshirë në sulmin në Banjskë dhe ata të gjithë duhet të japin llogari. Dhe presim që autoritetet në Serbi të përdorin sistemin e tyre të zbatimit të ligjit dhe sistemin e sundimit të ligjit për t’i mbajtur ata përgjegjës”, ka thënë Hovenier në Klan Kosova.

Driton Zenku
Botuar nga Driton Zenku 3 Korrik, 2024 22:43