Një tjetër Thuram në Serinë A, Kephren firmos me Juventusin

Drin Zenku
Botuar nga Drin Zenku 3 Korrik, 2024 09:02

Një tjetër Thuram në Serinë A, Kephren firmos me Juventusin

Juventusi ka ndezur motorët e merkatos dhe pas Douglas Luiz, ka arritur marrëveshjen me një tjetër mesfushor. Kephren Thuram do të jetë futbollisti më i ri i bardhezinjve, me 23-vjeçarin që do të provojë të lërë gjurmë në të njëjtin klub ku ka shkëlqyer edhe i ati, Lilian Thuram.

Torinezët kanë arritur marrëveshjen me Nice për shirën e 20 milionë eurove, plus 5 të tjera në formë bonusi, teksa Thuram do të firmosë një kontratë 5-vjeçare, me pagë 2.5 milionë euro në sezon.

Aktualisht klubet po shkëmbejnë dokumentet, me mesfushorin 23-vjeçar që pritet të fluturojë në Itali për të kryer testet mjekësore dhe për të bërë prezantimin zyrtar me klubin bardhezi.

Kephren Thuram e bën kështu edhe më interesant duelin Juventus-Inter në Serinë A, pasi me fanellën zikaltër luan tashmë vëllai i tij, sulmuesi Marcus Thuram, i cili është titullar i padiskutueshëm i formacionit të Inzaghit.

Thuram luajti 29 ndeshje me Nice, duke treguar se di të bëjë disa role të mesit të fushës, përfshi edhe atë para mbrojtjes, teksa bashkë me Douglas Luiz, pritet të ndryshojnë jo pak mesfushën e klubit të Juventusit.

Drin Zenku
Botuar nga Drin Zenku 3 Korrik, 2024 09:02