A do të ketë rritje të pagës minimale në 100 ditët e para të Qeverisë? – Flet ministri i ri i Ekonomisë dhe Punës

Driton Zenku
Botuar nga Driton Zenku 4 Korrik, 2024 19:04

A do të ketë rritje të pagës minimale në 100 ditët e para të Qeverisë? – Flet ministri i ri i Ekonomisë dhe Punës

Punëtori është hequr nga sektori i sociales dhe është rreshtuar si aset ekonomik, andaj rritja e pagës minimale do të jetë pika e parë e diskutimit në seancën e parë të Këshillit socio-ekonomi, tha ministri Besar Durmishi, shkruan Alsat.

Kreu i Ministrisë së ekonomisë dhe punës ka bërë të ditur se do të shqyrtohet kërkesa e sindikalistëve që paga minimale nga 22 567 denarë që u bë në pranverë, të jetë 450 euro. Por, Durmishi tha se duhet pasur parasysh të drejtat e punëtorëve, sikurse edhe interesat e sektorit të biznesit privat.

“Në Këshillin socio-ekonomik, të cilin tani do ta drejtoj nga unë si ministër i ekonomisë dhe punës, që është organi më i lartë i përbërë nga përfaqësues të sindikatës, punëdhënësve dhe qeverisë, do të fillojmë një dialog për të gjitha çështjet e hapura dhe nga sindikatat dhe nga punëdhënësit. Me riorganizimin që po bëhet tani me qeverinë e re, do të emërohen anëtarë të rinj dhe kjo çështje do të vihet në tryezë për diskutim në mbledhjen e parë”, tha Besar Durmishi, Ministër i ekonomisë dhe punës.

Por sipas ligjit aktual, harmonizimi i pagës minimale bëhet një herë në vit, përkatësisht në mars. Askund në programin e qeverisë nuk thuhet se do të ketë rritje të minimales në 100 ditët e para. Në buxhetin aktual nuk është paraparë një rritje e re e minimales, kurse javës së ardhshme pritet rebalanci i buxhetit.

Nga Lidhja e Sindikatave nuk duan t’ia dinë! Kërkojnë rritje të pagës minimale në 450€, brenda tre muajve.

“Jemi dëshmitarë se ndërkohë që pagat e punëtorëve po rriten në mënyrë margjinale, me ritme të ngadalta dhe jashtë hapit me inflacionin dhe koston e jetesës në rritje, ose aspak, funksionarët kanë siguruar një rritje të jashtëzakonshme dhe të pamerituar prej 78%. Punëtorët kërkojnë një jetë dinjitoze për veten dhe familjet e tyre, janë pjesë e domosdoshme e procesit të krijimit të kapitalit dhe pjesë e rëndësishme e marrëdhënieve sociale dhe ekonomike në vend”, thonë nga Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë.

Në paraqitjen e parë para mediave si ministër, Durmishi tha se do të forcoj mbështetjen për industrinë, krijimi i masave për ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme, rritja e konkurrencës së biznesit, tregut të brendshëm, tregtisë, si dhe mbështetja e punëdhënësit, duke krijuar masa dhe politika për punësimin, përmirësimin e tregut të punës dhe mbrojtjen e të drejtave të punës.

Ai bëri të ditur se do të paraqesë kërkesë në Entin Shtetëror të Revizionit për auditim të plotë të punës së Ministrisë së Ekonomisë duke filluar nga viti 2015, kur ishte edhe revizioni i fundit, me qëllim që publiku të shohin se si janë bërë punët gjatë qeverisjes së kaluar me dekada ku këtë dikaster e kanë udhëhequr kuadro të BDI-së. / Alsat.mk

Driton Zenku
Botuar nga Driton Zenku 4 Korrik, 2024 19:04