Këshilltarët e Trumpit shpresojnë që Biden të qëndrojë në garë, duke besuar se mund ta mposhtin

Driton Zenku
Botuar nga Driton Zenku 4 Korrik, 2024 19:52

Këshilltarët e Trumpit shpresojnë që Biden të qëndrojë në garë, duke besuar se mund ta mposhtin

Donald Trump dhe këshilltarët e tij shpresojnë që presidenti Joe Biden të qëndrojë në garën presidenciale, duke besuar se mund ta mposhtin atë, transmeton Anadolu.

“Washington Post” citon katër persona të njohur me diskutimet, të cilët thonë se ekipi i Trumpit po intensifikon sulmet ndaj zv/presidentes Kamala Harris.

Sipas raportimit, këshilltarët e Trumpit filluan të punojnë mbi skenarë të ndryshëm, duke menduar se mund të ishte më e vështirë të mposhtej një demokrat tjetër përpos presidentit dhe zv/presidentes aktuale.

Raportimi erdhi pasi “New York Times” raportoi se Biden u tha aleatëve kryesorë se po konsideronte nëse do të vazhdonte në garë, pas një performance të dobët në debatin presidencial të javës së kaluar.

Reagoi Shtëpia e Bardhë, duke thënë se Biden nuk po mendon të braktisë garën.

“Absolutisht jo”, u tha gazetarëve zëdhënësja Karine Jean-Pierre, kur u pyet nëse Biden po mendon të largohet. “Dhe ju dëgjuat drejtpërdrejt edhe nga fushata”, shtoi ajo.

Raportohet se në një eveniment të mbajtur të martën në mbrëmje, Biden tha se performanca e tij e dobët në debat ishte për shkak të udhëtimeve të shumta dhe vonesës në avion.

Trump tha në një intervistë të hënën se ai do të vazhdojë të bëjë fushatë, pavarësisht nëse Biden është kandidati demokrat. “Gjëja interesante është se ne po e mposhtim keq në sondazhe, por askush tjetër nuk po bën më mirë”, shtoi ai.

Driton Zenku
Botuar nga Driton Zenku 4 Korrik, 2024 19:52