Ndërmarrja për mirëmbajtjen e rrugëve rajonale dhe magjistrale në borxh prej 11 milionë eurosh – 12 vite punon me llogari të bllokuar

Driton Zenku
Botuar nga Driton Zenku 4 Korrik, 2024 19:12

Ndërmarrja për mirëmbajtjen e rrugëve rajonale dhe magjistrale në borxh prej 11 milionë eurosh – 12 vite punon me llogari të bllokuar

Ndërmarrja Publike për mirëmbajtje dhe mbrojtje të rrugëve rajonale dhe magjistrale për shkak të borxheve prej 11 milionë eurosh, 12 vite punon me llogari të bllokuar, shkruan Alsat.

Këtë e konstaton raporti i Entit Shtetëror të Revizionit në të cilin theksohet se kjo vë në rrezik punën e këtij institucioni të rëndësishëm për interesin publik dhe sigurinë e qytetarëve.

“Kryerja e veprimtarisë së ndërmarrjes realizohet në kuadër të limiteve mujore, gjegjësisht minimumit të mjeteve financiare, mbi të cilat nuk mund të zbatohen, sipas vendimit të Gjykatës Themelore Shkupi 2. Në vendimin e fundit të miratuar më 14.06.2021, i cili është ende në fuqi, limiti mujor për funksionimin e NP-së është caktuar në vlerë prej 231 milionë denarë apo rreth 3,7 milionë euro, derisa vlera e mjeteve të nevojshme me programin për mirëmbajtjen dhe mbrojtjen e rrugëve për vitin 2022 është  1,85 miliardë denarë ose 30 milionë euro”, thuhet nga Enti Shtetëror i Revizionit.

Sipas Revizionit, mënyra e këtillë e funksionimit të NP-së, ndikon në rritjen e kamatave dhe me këtë vihet në pikëpyetje stabiliteti financiar.

Në raport, Revizioni gjithashtu ka konstatuar se personi përgjegjës në ndërmarrje nuk i ka siguruar objektet ndërtimore dhe mjetet me të cilat disponon ndërmarrja, në vlerë prej rreth 2 miliardë denarë, gjegjësisht 32,4 milionë euro, të cilat janë të ekspozuara në rreziqe.

“Prej qershorit deri në dhjetor të vitit 2021 janë furnizuar 15 automjete të specializuara për pastrimin e borës, në vlerë prej 177 milionë denarë, prej të cilave një automjet, 20 ditë pas pranimit dhe vetëm 150 km është djegur pa pasur sigurim kasko, ndërkaq garancia e fabrikës nuk është shfrytëzuar. Padia për kompensim të dëmit është dorëzuar dy vjet pas zjarrit, gjegjësisht më 27.12.2023”, thuhet tutje nga Enti Shtetëror i Revizionit.

Për tejkalimin e gjendjes, Revizioni ka dhënë rekomandime për të ndërmarrë masa dhe aktivitete nga personat dhe organet kompetente./ Alsat.mk

Driton Zenku
Botuar nga Driton Zenku 4 Korrik, 2024 19:12