Ndryshimet në ligjin për shëndetësi, Mickoski: Stop dualizmit, të dihet përgjegjësi

Driton Zenku
Botuar nga Driton Zenku 4 Korrik, 2024 19:29

Ndryshimet në ligjin për shëndetësi, Mickoski: Stop dualizmit, të dihet përgjegjësi

Ndryshimet e reja në ligjin e shëndetësisë parashikojnë reduktim të numrit të zyrtarëve, si dhe të shtesave zyrtare. Kryeministri Hristijan Mickoski paralajmëroi bashkimin e klinikave në kuadër të Qendrës Klinike në një subjekt juridik, rajonalizimin dhe qasjen lokale në sistemin shëndetësor.

“Ndryshimet e reja të propozuara nga Qeveria parashikojnë ulje të numrit të zyrtarëve në shëndetësi. Stop për dualizmin dhe përcaktim të përgjegjësisë, sepse deri më tani përgjegjësia disi kalohej nga njëri tek tjetri, kështu që shpesh lindnin konflikte. Dhe e dyta, zvogëlim të kompensimeve shtesë për funksionarët. Do të kemi bashkimin e Qendrës Klinike, pra klinikat brenda Qendrës Klinike në një institucion, gjegjësisht në një subjekt juridik, pastaj do të vazhdojmë me rajonalizimin dhe qasjen lokale në sistemit shëndetësor.”, – deklaroi kryeministri, Hristian Mickoski.

LSDM-ja për ndryshimet kadrovike: Mickoski po partizon shtetin me kuadro të vjetra

Duke analizuar zgjidhjet kadrovike të Qeverisë së re, nga LSDM-ja thonë se në vend të profesionalizimit dhe ndryshimeve që u premtuan, Mickoski e partizon shtetin me kuadro të vjetra.

“Me Fondin e Shëndetësisë do ta menaxhojë Sasho Klekovski, i cili edhe pse është mjek, asnjëherë nuk ka punuar në shëndetësi. Në drejtorin për Zbatim të Sanksioneve, është emëruar Aleksandar Pandov, historian i diplomuar, i cili nuk ka as arsim adekuat dhe as përvojë në këtë fushë. Emërimi i Koce Trajanovskit për ushtrues detyre është konfirmim i drejtpërdrejtë se politikat kadrovike nënkuptojnë kthim në qeverisjen e mëparshme të VMRO-DPMNE-së dhe jo ndryshim.”, – theksoi zëdhënësja e LSDM-së, Bogdanka Kuzeska.

Ndryshimet kadrovike, BDI: Ndryshimet, në kundërshtim me MO-në

Edhe BDI-ja me reagim për ndryshimet kadrovike. Sipas tyre, vendimi që në Fondin për Sigurim shëndetësor të emërohen dy drejtorë maqedonas, paraqet përpjekje sistematike për të larguar shqiptarët nga institucionet më të ndjeshme dhe vitale të vendit.

“Një qeveri e tillë, që nuk reflekton diversitetin dhe legjitimitetin e popujve tanë, po ndjek një rrugë të rrezikshme që minon parimet themelore të barazisë dhe drejtësisë në shtetin tonë. Ky veprim është në kundërshtim të plotë me frymën e Marrëveshjes së Ohrit dhe mekanizmat mbrojtës për përfaqësimin e barabartë të të gjitha komuniteteve etnike.”, thuhet në reagimin e BDI-së.

Sipas tyre, institucionet publike duhet të jenë reflektim i një shoqërie të drejtë dhe të barabartë, ku të gjithë qytetarët, pavarësisht prejardhjes etnike, kanë mundësinë të kontribuojnë dhe të marrin pjesë në mënyrë të barabartë.

Driton Zenku
Botuar nga Driton Zenku 4 Korrik, 2024 19:29