Pensionistët dhe studentët në Maqedoninë e Veriut do të paguajnë më pak për shërbimet bankare

Driton Zenku
Botuar nga Driton Zenku 4 Korrik, 2024 19:39

Pensionistët dhe studentët në Maqedoninë e Veriut do të paguajnë më pak për shërbimet bankare

Banka Popullore në Maqedoninë e Veriut në një takim me pensionistët e Lidhjes së shoqatave të pensionistëve të Maqedonisë ka theksuar që pensionistët nuk duhet të paguajnë më shumë se 38 denarë për shërbimet bankare, transmeton Portalb.mk.

“Pensionistët mund të hapin një llogari pagesore me funksionet bazë tek cilado bankë që ofron më shumë përfitime, siç janë shpenzimet e ulëta për mirëmbajtjeje, mundësinë e përdorimit të një pakoje relativisht të gjerë shërbimesh pagesore nga bankat, për një tarifë që aktualisht nuk mund të kalojë 38 denarë, është e një rëndësie të madhe për uljen e barrës financiare të pensionistëve”, njoftoi Banka Popullore.

Në takim mori pjesë guvernatorja Anita Angellovska – Bezhoska dhe kryetarja e Lidhjes, Stanka Trajkova.

“Për shërbimet që mbulohen nga llogaria pagesore me funksione bazë, banka mund të llogarisë dhe të vendosë një tarifë totale mujore deri në një shumë të arsyeshme të caktuar e cila nuk guxon të jetë më e lartë se 0,1% e mesatares së 12 pagave mesatare mujore të paguar neto në vend, sipas Entit Shtetëror të Statistikave (apo aktualisht 38 denarë)”, deklaruan nga Drejtoria e Sistemeve të Pagesave.

Llogaritë e tilla janë të përshtatshme për pensionistët dhe studentët bursistë.

Driton Zenku
Botuar nga Driton Zenku 4 Korrik, 2024 19:39