Radev: 120.000 maqedonas kanë nënshtetësi të Bullgarisë, me origjinë të dokumentuar bullgare

Driton Zenku
Botuar nga Driton Zenku 4 Korrik, 2024 19:26

Radev: 120.000 maqedonas kanë nënshtetësi të Bullgarisë, me origjinë të dokumentuar bullgare

Presidenti i Bullgarisë Rumen Radev në takimin e punës me kryeministrin grek Kyriakos Mitsotakis në Athinë, ka diskutuar për intensifikimin e menjëhershëm të punës për planet strategjike bilaterale, por edhe për problemet me Republikën e Maqedonisë së Veriut pas ardhjes së qeverisë së re, transmeton Portalb.mk.

“Për fat të keq, lidershipi shtetëror i Maqedonisë së Veriut është e qartë se nuk është gati për këtë pozicion. Është e nevojshme të njihet e drejta ndërkombëtare. Pasi të nënshkruhet një marrëveshje ndërkombëtare, ajo duhet të zbatohet nga të gjitha qeveritë e mëvonshme, jo të rishikohet”, tha Radev.

Ai më tej shtoi se 120.000 maqedonas kanë nënshtetësi bullgare.

“Njohja e statistikave është gjithashtu e nevojshme, sepse tani 120.000 maqedonas kanë nënshtetësi bullgare, me origjinë të dokumentuar bullgare”, tha Radev.

Radev shpjegoi në një konferencë për shtyp se një projekt i rëndësishëm strategjik për Greqinë dhe Shqipërinë është terminali i gazit të lëngshëm natyror në Aleksandropoli, i cili duhet të vihet në funksion më së voni deri në tetor.

“Terminali ka ende probleme teknike, të cilat janë duke u zgjidhur. Bullgaria merr pjesë në projekt, e cila ka marrë 20 përqind të tij”, kujtoi Radev.

Kujtojmë se në vitin 2020, ministrja e atëhershme bullgare e drejtësisë Desislava Ahladova, deklaroi se pothuajse 66.000 maqedonas gjatë 10 viteve të fundit, kanë marrë nënshtetësi bullgare. Në të gjitha rastet, baza për dhënien e shtetësisë është dëshmia për prejardhjen bullgare, tha ministrja e Drejtësisë.

“Në të gjitha rastet, baza për dhënien e shtetësisë është dëshmia e prejardhjes bullgare”, citohet të ketë thënë ministrja Ahladova.

Nga 1 janari 2010 deri më 22 tetor 2020, kërkesë për shtetësi bullgare kanë paraqitur 77.829 shtetas maqedonas, prej tyre 77.726 ishin me origjinë bullgare. Gjatë së njëjtës periudhë, 65.675 maqedonas morën shtetësinë bullgare me dekret presidencial.

Në shtator të vitit 2023 u raportua se Parlamenti bullgar së shpejti do të shqyrtojë leximin e dytë të projektligjit për shtetësinë bullgare, i cili nëse miratohet pas leximit të tretë, do të lejojë që të gjithë mbajtësit e pasaportave dhe shtetësisë bullgare të bëhen publike. Kjo do të thotë se të gjithë qytetarët e Maqedonisë së Veriut ose personat që punojnë jashtë vendit me pasaportë bullgare do të shpallen publikisht në regjistrin e qytetarëve, i cili sipas projektligjit duhet të jetë publik. Megjithatë nuk ka informacion shtesë nëse është miratuar ky projektligj.

Ndryshe, me fitoren e VMRO-së, përkatësisht formimin e qeverisë së re, ka filluar edhe acarimi i raporteve midis Maqedonisë së Veriut me Bullgarinë dhe Greqinë. Me Bullgarinë, për shkak se kryeministri Mickoski tha mund të ketë ndryshim të Kornizës negociuese, e cila u kritikua ashpër nga Sofja. Ndërsa tensionet me Greqinë nisën kur presidentja Gordana Siljanovska Davkova, gjatë betimit nuk përmendi emrin kushtetues të vendit, Maqedoni e Veriut, por e përmendi emrin e dikurshëm, Maqedoni.

Driton Zenku
Botuar nga Driton Zenku 4 Korrik, 2024 19:26