Banorët e Vizbegut do të vazhdojnë të protestojnë kundër bazës së asfaltit

Driton Zenku
Botuar nga Driton Zenku 5 Korrik, 2024 19:23

Banorët e Vizbegut do të vazhdojnë të protestojnë kundër bazës së asfaltit

Reagimet për ndërtimin e bazës së asfaltit në Vizbeg po vazhdojnë. Dje ka reaguar kompania “Top Bild”, e cila pretendon se gjithçka që bëhet këtu është ligjore dhe sipas standarteve evropiane. Pas kësaj, ka pasur reagime edhe nga afaristët e zonës së Vizbegut. Hasan Bajrami, afarist i zonës së Vizbegut, për televizionin Shenja ka reaguar duke thënë se arsyetimet e kompanisë janë arsyjetime për të defokusuar esencën e problemit. Ai theksoi se nuk ka vend në botën europiane ku mund të ushtrohet veprimtari që dëmton ambientin jetësor, siç tha ai, si që është rasti me bazën e asfaltit në Vizbeg që është lokalizuar pikërisht në afërsi të objekteve afariste dhe atyre për banim.

HASAN BAJRAMI, AFARIST I ZONËS SË VIZBEGUT

“Arsyetimet e kompanisë se kanë ndërtuar bazën me teknologji moderne janë vetëm për të defokusuar esencën e problematikës. Nuk ka njeri në botë që mund të bindet e leje më ekspertët për mbrojtjen e ambientit jetësor se një bazë e asfallti me cilën do teknologji nuk do të ndotë ambientin dhe të prishë imazhin e zonës”

Afaristi Bajrami ka rikujtuar se në zonën e Vzibegut jetojnë mbi 10.000 banorë.

HASAN BAJRAMI, AFARIST I ZONËS SË VIZBEGUT

“Këtu veprojnë çdo ditë mbi 7000 puntorë, 450 kompani mes të cilave edhe kompani ushqimore, qendër për dializë, furrë buke, fermë e pulave apo objekte hotelierike dhe llogaritni çfarë dëmi po shkakton ndërtimi i kësaj baze e cila sipas gjithë parametrave nuk e ka vendin aty”

Përveç kësaj ai tha se nga “Shoqata e Afaristëve të Zonës së Vizbegut” kanë dërguar peticione në komunën Çuçer Sandevë dhe Ministrinë e Ekologjisë vitin e kaluar para fillimit të ndërtimit të bazës së asfaltit, për ndalimin e ndërtimit. Bajrami theksoi se protestat e tyre do të vazhdojnë deri në ndalimin e plotë të ndërtimit ku përveç se në Vizbeg, ata do të protestojnë edhe para institucioneve që kanë lejuar pa të drejtë ndërtimin e kësaj baze.

/SHENJA/

Driton Zenku
Botuar nga Driton Zenku 5 Korrik, 2024 19:23