Partia spanjolle e ekstremit të djathtë do t’i bashkohet grupit të Orbanit në PE

Driton Zenku
Botuar nga Driton Zenku 5 Korrik, 2024 19:39

Partia spanjolle e ekstremit të djathtë do t’i bashkohet grupit të Orbanit në PE

Partia spanjolle e ekstremit të djathtë, Vox, tha se do të largohet nga grupi i Konservatorëve dhe Reformistëve Evropianë (ECR) në Parlamentin Evropian, për t’iu bashkuar aleancës së re të udhëhequr nga kryeministri hungarez, Viktor Orban.

Kjo lëvizje i jep goditje shpresave të kryeministres italiane, Giorgia Meloni, që të sigurojë që ECR-ja të jetë grupi i tretë më i madh parlamentar dhe të udhëheqë opozitën, që përbëhet nga konservatorët e moderuar, socialdemokratët dhe liberalët.

“Forcat patriotike që kanë rritur praninë e tyre në PE kanë një mundësi historike për ta shndërruar mandatin e votuesve në një grup të madh që mund të bëhet një alternativë ndaj koalicionit midis qendrës së djathtë, socialistëve dhe të majtës ekstreme”, tha Vox përmes një deklarate.

Kjo parti shtoi se grupi i propozuar nga Orbani, i quajtur “Patriotët për Evropën”, i është përgjigjur mesazhit të atyre që kërkojnë “një ndryshim rrënjësor dhe urgjent të kursit” për BE.

Lideri i partisë Vox, Santiago Abascal, tha në një intervistë për të përditshmen La Gaceta se partia Vëllezërit e Italisë e Melonit “gjithmonë do të jetë partnere, mike dhe aleate e Vox”, teksa falënderoi partinë për Ligj dhe Drejtësi të Polonisë – e cila deri më tani ka refuzuar që t’i bashkohet platformës së Orbanit – që e cilësoi si “pararojë të luftës së patriotëve në Evropë”.

Partia Fidesz e Orbanit veçse ka bashkuar forcat me Partinë e Lirisë nga Austria, partinë populiste çeke, ANO dhe Chega nga Portugalia kanë bashkuar forcat në këtë platformë të re.

Sipas rregullave të Parlamentit Evropian, një grup parlamentar duhet të përfshijë parti nga të paktën shtatë shtete anëtare, andaj “Patriotët për Evropën” duhet të bindin partnerët e tyre edhe nga dy shtete të bashkohen me ta, në mënyrë që zyrtarisht të mund të formohet ky grup parlamentar.

Ende është e paqartë nëse Tubimi Kombëtar – parti që fitoi në rundin e parë të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Francë javën e kaluar – i Marine Le Pen, do t’i bashkohen grupit.

Në zgjedhjet evropiane të mbajtura në qershor, partitë e ekstremit të djathtë u rritën dhe Vox dyfishoi numrin e ulëseve në gjashtë. /rel

Driton Zenku
Botuar nga Driton Zenku 5 Korrik, 2024 19:39