ISHP: Fekalet grimcohen, por ato nuk filtrohen gjatë lëshimit të tyre në disa pjesë të liqenit të Ohrit

Driton Zenku
Botuar nga Driton Zenku 8 Korrik, 2024 22:05

ISHP: Fekalet grimcohen, por ato nuk filtrohen gjatë lëshimit të tyre në disa pjesë të liqenit të Ohrit

Ujërat e zeza nga autokampet “Lubanishta” dhe “Livadishta”, hoteli “Shën Naum”, restoranti “Ostrovo” dhe objektet tjera hotelierike në “Shën Naum” janë ndotës të drejtpërdrejtë të Liqenit të Ohrit. Këto objekte janë të lidhura me kanalizimin, por ai nuk funksionon. Kështu thuhet në Raportin e fundit për cilësinë dhe sigurinë shëndetësore të ujërave sipërfaqësore për larje rekreative  nga liqenet natyrore dhe vlerësimin e rrezikut shëndetësor para fillimit të sezonit të larjes, të publikuar nga Instituti i Shëndetit Publik (ISHP). Autoritetet, për ta vlerësuar gjendjen e plazheve dhe ujit në Liqenin e Ohrit për vitin 2024, kanë realizuar inspektime në terren dhe kanë marrë mostra për analiza laboratorike para dhe gjatë sezonit turistik, në të gjithë bregun e liqenit – nga Shën Naumi e deri në fshatin Radozhdë, raporton Meta, përcjell Portalb.mk.

“Gjatë fazës së trajtimit të ujërave të zeza ka vetëm një grimcues për lëndët fekale, por nuk ka filtra dhe nuk bëhet klorimi i ujërave të zeza para derdhjes së tyre në liqen, me çka ata bëhen ndotës i drejtpërdrejtë i liqenit. Ujërat e zeza komunale përmbajnë një sërë mikroorganizmash që janë patogjenë dhe shkaktojnë sëmundje tek popullata e ekspozuar. Rreziku kryesor me të cilin përballen njerëzit që lahen në ujërat e ndotura është rritja e morbiditetit nga sëmundje të caktuara, siç janë sëmundjet e traktit gastrointestinal (sëmundjet diarreike), sëmundjet e rrugëve të sipërme të frymëmarrjes, lëkurës, syve ose veshëve”, thuhet në raportin e përgatitur nga personat përgjegjës në Njësinë e sigurisë së ujit pranë Institutit të Shëndetit Publik.

Nga atje theksojnë se për mbrojtjen e Liqenit të Ohrit është ndërtuar një sistem kolektori, i cili i mbledh ujërat e zeza nga qyteti i Ohrit dhe Strugës, të cilat më pas pastrohen në stacionin e pastrimit në fshatin Vranisht. Mirëpo, sipas informacioneve të disponueshme për inspektimin sanitar-higjienik të kryer nga Qendra e Shëndetit Publik në Ohër, ka objekte të viteve të fundit që nuk janë të kyçura në sistemin e kolektorit, e që janë ndotës potencial. Bëhet fjalë për objekte hotelierike, si dhe vendbanime turistike të vendosura përgjatë bregut të Liqenit të Ohrit nga Hoteli Desaret deri në Shën Naum. Përveç tyre, ka objekte hotelierike dhe vendbanime turistike nga Struga deri në fshatin Radozhdë.

“Në këtë brez i vetmi hotel i kyçur me sistemin e kolektorit është hoteli “Makpetroll” përmes sistemit i kolektorit të fshatit Ladorisht, Hoteli Biser dhe fshati Kalisht. Ndotës potencial janë edhe shtëpitë private që ndodhen në bregun e Liqenit të Ohrit nga plazhi Saraishte deri në kishën  Sh. Sofia, në pjesën e bregut të liqenit në lagjen Kaneo. Përveç tyre, janë edhe shtëpitë private nga fshati Radozhdë, që përdorin gropa septike të cilat ka shumë gjasa që të depërtojnë ose zbrazen direkt në liqen”, thuhet në raport.

Si ndotës potencialë përgjegjësit i përmendën edhe banaqet e vendosur në bregun e Liqenit të Ohrit, pra në vetë plazhet.

“Shtëpitë private përgjatë gjithë bregut të liqenit si dhe vendbanimet rurale: Trpejca, Lubanishta dhe Radozhda përdorin gropa septike për eliminimin e ujërave të zeza komunale, zbrazja e të cilave bëhet nga shërbimi komunal. Në fshatin Radozhdë, gropat septike të shtëpive ose derdhen direkt në liqen, ose duke qenë se ndodhen pikërisht në breg të plazhit, depërtojnë në liqen dhe kështu bëhen ndotës të drejtpërdrejtë të tij. Duke qenë se bëhet fjalë për një liqen me një numër të konsiderueshëm burimesh, rrjedhje të vazhdueshme ujore dhe masë të madhe ujore, nuk janë vënë re ndryshime të dukshme të cilësisë së ujit të liqenit”, thuhet në raport.

Mirëpo, përgjegjësit nga ISHP-ja kanë theksuar se sipas rezultateve të fituara nga analizat, ndërsa në pajtim me dispozitat e Rregullores për mënyrën dhe masat e menaxhimit të ujërave për larje rekreative, ujërat sipërfaqësore nga Liqeni i Ohrit klasifikohen gjatë të gjitha muajve klasifikohen si me cilësi të “shkëlqyer”.

Por, përveç për Liqenin e Ohrit, është kontrolluar edhe cilësia e ujërave sipërfaqësore edhe për Liqenin e Prespës.

“Sipas nenit 4 të Rregullores për mënyrën dhe masat për menaxhimin e ujërave për larje rekreative, kriteret teknike dhe qëllimet e cilësisë së ujërave për larje rekreative, si dhe mënyrën dhe procedurën e informimit të publikut për rezultatet e monitorimit të ujërave për larje rekreative, uji nga Liqeni i Prespës klasifikohet si “i shkëlqyer”. Inspektimet në zonën e bregut të liqeneve tregojnë se plazhet në brigjet e Liqenit të Prespës janë me rërë dhe të rregulluara. Burimet potenciale të ndotjes përgjatë plazheve në bregun e liqenit nuk janë identifikuar, por sërish nevojitet një kontroll i ujit nga ndotësit e mundshëm. Nuk ka një sistem për informim për cilësinë e ujit të liqenit nëpër plazhe. Në asnjë plazh nuk ka mënyrë për paralajmërim në rast rreziku në plazh”, thuhet në raportin e ISHP-së.

Nga inspektimi i ujit nga Liqeni i Dojranit, autoritetet vizualisht kanë konstatuar se uji është i pastër, transparent me ngjyrë blu-jeshile, pa mbeturina të dukshme.

“Për sa i përket vetive dhe indikatorëve organoleptik, nuk janë regjistruar mbeturina të dukshme, ngjyrë apo erë. Nga inspektimet sanitare-higjienike dhe nga rezultatet e mostrave të analizuara të ujërave sipërfaqësore, mund të konstatohet se devijimet (rritja e turbullirës dhe rritja e përmbajtjes së amoniakut si dhe saturimi me oksigjen) nga klasi i dytë nuk do të kenë efekt të dëmshëm ndaj shëndetit të popullatës. Uji i Liqenit të Dojranit mund të përdoret për larje dhe rekreacion të njerëzve si dhe për sporte ujore”, thuhet në raport.

Në përfundim thuhet se uji sipërfaqësor nga Liqeni i Dojranit është klasifikuar si “i shkëlqyer” vetëm në shkurt dhe prill, ndërsa në janar, mars dhe maj për shkak të rritjes së numrit të Escherichia coli dhe Enterococcus spp., uji sipërfaqësor nga liqeni është klasifikuar si “i mirë” dhe “i pakënaqshëm”.

“Uji sipërfaqësor nga Liqeni i Prespës, sipas Rregullores për mënyrën dhe masat e menaxhimit të ujërave për larje rekreative, klasifikohet si “i shkëlqyer”, përveç në muajin mars dhe prill për shkak të rritjes së numrit të Enterococcus spp. Kur uji sipërfaqësor klasifikohet si “i mirë” dhe “i pakënaqshëm”, thuhet në raport.

Mbetet në fuqi obligimi për institucionet shëndetësore publike dhe shërbimet e inspektimit për kryerjen e inspektimeve të rregullta në terren dhe për mbledhjen e informacionit nga terreni për gjendjen e rrjeteve të kanalizimeve tokësore dhe atmosferike, burimet e mundshme të ndotjes  mikrobiologjike apo informacione për ndotjen historike me qëllim përmirësimin e gjendjes, e cila prej vitesh mbetet e njëjtë ose ndryshon shumë ngadalë.

“Rolin dhe obligimin më të madh e kanë autoritetet lokale dhe shërbimet përkatëse inspektuese komunale, të cilat duhet ta kontrollojnë situatën në terren, të investojnë në përmirësimin e infrastrukturës, por, në përputhje me rregulloret ligjore, të vendosin një monitorimin e brendshëm të duhur të ujërave sipërfaqësore të destinuara për larje dhe rekreacion”, përfundojnë në raport përgjegjësit nga Instituti i Shëndetit Publik.

Driton Zenku
Botuar nga Driton Zenku 8 Korrik, 2024 22:05