Ministri izraelit i ekstremit të djathtë kërkon vazhdimin e sulmeve në Gaza

Driton Zenku
Botuar nga Driton Zenku 8 Korrik, 2024 22:11

Ministri izraelit i ekstremit të djathtë kërkon vazhdimin e sulmeve në Gaza

Ministri i Financave i ekstremit të djathtë të Izraelit, Bezalel Smotrich ka mbrojtur idenë se sulmet ndaj Rripit të Gazës duhet të vazhdojnë, transmeton Anadolu.

Në mesazhin e publikuar nga llogaria e tij në median sociale, Smotrich tha se sulmet kundër Gazës duhet të vazhdojnë derisa Izraeli “të arrijë objektivat e tij”.

Smotrich pretendon se Hamasi ka “rënë” dhe se grupi palestinez është “lutur për armëpushim”.

Ekstremisti i djathtë, Smotrich i cili njihet për pikëpamjet tij anti-palestineze, pretendon se ndalimi i sulmeve tani në Gaza do të ishte “të lejosh Hamasin të luftojë sërish në rajon duke u rimëkëmbur”.

Deklarata e tij lidhur me vazhdimin e sulmeve në Gaza ka tërhequr vëmendje se ka ardhur në një periudhë kur në rend dite janë negociatat për shkëmbimin e pengjeve mes Tel Avivit dhe Hamasit.

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu në një deklaratë dje, mbrojti idenë se çdo marrëveshje armëpushimi e arritur në Gaza “duhet të garantojë të drejtën e Izraelit për të sulmuar sërish Gazën derisa të arrihen objektivat e luftës”.

Delegacioni izraelit i kryesuar nga Ronen Bar, drejtor i Agjencisë së Inteligjencës së Brendshme Izraelite Shin-Bet (Shabak), udhëtoi mëngjesin e sotëm drejt kryeqytetit të Egjiptit, Kajro, për të marrë pjesë në bisedimet për shkëmbimin e të burgosurve dhe menaxhimin e pikës kufitare Rafah.

Driton Zenku
Botuar nga Driton Zenku 8 Korrik, 2024 22:11