Rusia godet spitalin e fëmijëve, dhjetëra viktima nga sulmi me raketa ruse

Driton Zenku
Botuar nga Driton Zenku 8 Korrik, 2024 22:14

Rusia godet spitalin e fëmijëve, dhjetëra viktima nga sulmi me raketa ruse

Një breshëri sulmesh raketore ruse goditi objektivat në qytete në mbarë Ukrainën, duke përfshirë një spital për fëmijë në Kiev, duke vrarë të paktën 20 njerëz dhe plagosur 50 të tjerë, tha ministria e Brendshme. Zyrtarët ukrainas thanë se sulmi i rrallë ajror gjatë ditës kishte goditur qytetet e Ukrainës gjatë orës së pikut, duke përfshirë Kievin, Dnipron, Kryvyi Rih, Slovjansk dhe Kramatorsk.

“Ne ishim shumë të frikësuar, ishim duke ngrënë në kuzhinë në atë kohë dhe u errësua menjëherë, ishte një shpërthim i tmerrshëm. Njerëzit filluan të vrapojnë. Zbritëm në katin përdhes dhe ishte shumë errësirë, kishte shumë fëmijë, të gjithë bërtisnin. Ikëm që andej, sepse u bë edhe më e frikshme dhe zbritëm në parking.”, – tha nëna e një pacienti në klinikë.

“Ne jemi nga Mariupoli, nuk jemi të huaj për këtë gjë. Dëgjuam muret që dridheshin, kuptuam se shpërthimi ishte afër, domethënë se diçka kishte goditur shumë fort. Neve duhej të na merrnin për anestezi në njëmbëdhjetë, pastaj ndodhi kjo. Mjeku ynë tha që ende nuk duhet të kthehemi. Është e mundur që jo të gjithë fëmijët kanë arritur të dalin jashtë.”, – u shpreh nëna e një pacienti në klinikë.

Ndër ndërtesat e goditura ishte spitali Okhmatdyt i Kievit, qendra më e madhe mjekësore e fëmijëve në Ukrainë, e cila ka qenë vendimtare në mbështetjen e disa fëmijëve më të sëmurë nga i gjithë vendi.

“U dëmtuan sallat e reanimacionit, sallat e operacionit, është dëmtuar reparti i onkologjisë, i cili kishte dhoma të pastra me pak ajër dhe një godinë më vete që funksiononte, ne shohim gjithçka të dëmtuar. Ne po i transportojmë të gjithë ata që kanë nevojë për ndihmë në spitale të tjera.”, – deklaroi ministri i Shëndetësisë i Ukrainës, Viktor Lyashko.

Videot nga vendi i ngjarjes treguan vullnetarë që punonin me policinë dhe shërbimet e sigurisë për të shoshitur rrënojat, ndërsa tymi dilte nga spitali, derisa stafi përshkruan se si ata u përpoqën t’i çonin fëmijët në siguri pas sulmit.

Driton Zenku
Botuar nga Driton Zenku 8 Korrik, 2024 22:14