Spanjolli Lopetegui: Premier League është kompeticioni më i mirë në botë

Drin Zenku
Botuar nga Drin Zenku 8 Korrik, 2024 12:33

Spanjolli Lopetegui: Premier League është kompeticioni më i mirë në botë

Spanjolli Julen Lopetegui, trajneri i ri i West Ham United, deklaroi në konferencën e tij të parë për shtyp si trajner i skuadrës londineze se “stili (i lojës) duhet të të ndihmojë të fitosh, ky është hapi i parë”:

“Ne duhet të jemi në gjendje të kemi iniciativën, të jemi agresivë me topin. Qëllimi im si trajner është t’i kem të gjitha; të kuptojmë lojën dhe të marrim përgjigjet e duhura. Duhet të dimë se si t’i fitojmë ndeshjet. Në futboll ke gjithmonë diçka të rëndësishme për të bërë, përherë mund të përmirësohesh”.

Lopetegui shpjegoi se zgjodhi ta drejtonte West Ham për shumë arsye: “Jam shumë i lumtur këtu. Jam aty ku dua të jem. Jam në një klub të madh, për mendimin tim, një nga klubet e mëdha të Londrës. Mendoj se kemi potencial të madh. Ju shikoni stadiumin, tifozët, gjithçka është në vendin e vet këtu”.

Spanjolli, ish-trajneri i skuadrave si Rayo Vallecano, Porto, Real Madrid, Sevilla dhe Wolverhampton, deklaroi se West Han ka një bazë të mirë si skuadër dhe lojtarë të aftë për të bërë një hap përpara”.

Trajneri spanjoll nuk donte të vendoste objektiva në këtë fazë të re: “Nuk dua të vendos kufij. Gjithmonë them se mund të ëndërrosh, por duhet të punosh shumë për t’i arritur ato ëndrra. Premier League është më e mira në botë, ka lojtarët dhe trajnerët më të mirë në qarkullim.

Do të përpiqemi t’i vendosim këto kërkesa në mendjen e lojtarëve. Ambicia jonë e parë është të fillojmë të punojmë dhe të përpiqemi t’i bindim lojtarët se, nëse punojmë shumë, mund t’i kapërcejmë vështirësitë që do të kemi”.

Drin Zenku
Botuar nga Drin Zenku 8 Korrik, 2024 12:33