Ylli i Barcelonës me ‘kërcënime’ – kërkon rritje të pagës ose do të largohet falas

Driton Zenku
Botuar nga Driton Zenku 8 Korrik, 2024 22:56

Ylli i Barcelonës me ‘kërcënime’ – kërkon rritje të pagës ose do të largohet falas

Barcelona e ka gjetur veten në një situatë të ndërlikuar kur bëhet fjalë për mbrojtësin Ronald Araujo.

Pasi i kanë premtuar uruguaianit një rritje të madhe të pagës pas nënshkrimit të ‘marrëveshjes miqësore’ me klubin në 2022, ata tashmë e kanë gjetur veten në një pozitë ku nuk duan ose nuk mund t’i ofrojnë kontratën që ai pret.

Me dy vite të mbetura në kontratën e tij, Barcelona duhet ose ta shesë tani ose të punojë për të gjetur një rrugë për t’i ofruar një kontratë të re.

Verën e ardhshme ai do të ketë një vit të mbetur në kontratën e tij dhe vlera e tij do të bjerë jashtëzakonisht shumë. Drejtori sportiv Deco më herët gjatë këtij viti kishte qëllimin që ta shiste, pasi Manchester United dhe Bayern Munichu ishin të interesuara për të gjatë asaj kohe, por interesimi i tyre ishte zbehur dhe tani Araujo do të jetë jashtë fushave deri në përfundim të afatit kalimtar veror.

Sipas asaj që raporton gazeta spanjolle Sport, është diçka që e lë Barcelonën në një pozicion tejet të palakmueshëm.

Është përmendur edhe fakti që agjenti i Araujos nuk ka raporte miqësore me klubin, andaj nëse Barcelona nuk i plotëson kushtet e tij financiare, atëherë qëllimi është që t’i shkojnë deri në fund kontratës dhe të largohet si lojtar i lirë në 2026.

E përditshmja spanjolle shton se Araujo do të pranonte kontratën e re vetëm në rast se i garantohen paratë të cilat mund t’i marrë në Ligën Premier.

Ka natyrisht ende shumë kohë për ta përmbysur këtë situatë, por blaugranasit janë në një pozicion të vështirë pasi rrezikojnë të humbasin falas njërin prej lojtarëve më të rëndësishëm në skuadër./Telegrafi/

Driton Zenku
Botuar nga Driton Zenku 8 Korrik, 2024 22:56