Skadoi afati për ankesa për maturën shtetërore, QSHP do t’i zgjidhë deri më 16 korrik

Driton Zenku
Botuar nga Driton Zenku 9 Korrik, 2024 19:25

Skadoi afati për ankesa për maturën shtetërore, QSHP do t’i zgjidhë deri më 16 korrik

Në orën 14:00 të ditës së sotme skadoi afati për ankesat e maturantëve të pakënaqur me rezultatet e provimit të maturës shtetërore në sesionin e provimit të qershorit. Afati për ankesa nisi të premten (5 korrik), kur Qendra Shtetërore e Provimeve (QSHP) shpalli rezultatet paraprake të dy provimeve eksterne që u organizuan në datat 1 dhe 8 qershor 2024.

Nxënësit paraqesin ankesat e tyre pranë komisioneve të maturës shkollore, të cilat i fusin të dhënat në Aplikacionin për ankesa, sipas udhëzimeve të dhëna nga QSHP.

Pas përfundimit të afatit, komisionet e QSHP-së do të shqyrtojnë ankesat e maturantëve dhe brenda datës 16 korrik do të dërgojnë vendimet, pra do të vendosin nëse pranohen apo jo ankesat.

Biljana Mihajlovska, drejtoreshë e QSHP-së, tha për MIA-n se kanë arritur ankesat nga nxënësit, por numri i saktë do të dihet pas përfundimit të afatit sot dhe pasi shkollat ​​t’i futin në aplikacion dhe QSHP t’i pranojë ato në mënyrë elektronike.

“Më datë 16 planifikojmë t’i dërgojmë në shkolla rezultatet përfundimtare. Maturantët që kanë dërguar ankesë kanë të drejtën e inspektimit më 18 korrik. Në datën 17 mund të telefonojnë në numrat e telefonit që i kemi lënë për të caktuar termin dhe më 18 mund të vijnë në QSHP për të biseduar dhe komisioni do t’u shpjegojë se ku ka qenë problemi”, tha Mihajlovska.

Si në vitet e kaluara, çmimi për ankesë është 2.500 denarë.

Për kandidatët që nuk dërguan ankesa, rezultatet paraprake të QSHP-së për provimin e maturës shtetërore në qershor janë rezultatet përfundimtare.

Nga nesër (10 korrik) deri më 18 korrik është afati i fundit për regjistrim në afatin e gushtit për dhënien e provimit të maturës shtetërore për ata maturantë që për arsye të justifikuara nuk janë testuar në muajin qershor ose nuk kanë kaluar njërin ose të dy provimet eksterne. Provimet do të mbahen më 12 gusht (lënda obligative – gjuhë amtare dhe letërsi) dhe 14 gusht (lëndë zgjedhore).

Qendra shtetërore e provimeve shpalli të premten rezultatet paraprake të dy provimeve eksterne në sesionin e qershorit, sipas të cilave sivjet nota mesatare e provimit të maturës është 3.25.

Gati 15 mijë maturantë u regjistruan për maturën shtetërore në muajin qershor, e cila u organizua për herë të parë këtë vit shkollor në korridoret dhe sallat sportive të shkollave për të siguruar një kontroll më të madh në testimin e nxënësve.

Driton Zenku
Botuar nga Driton Zenku 9 Korrik, 2024 19:25