Treni godet një 50 vjeçar, mjeku i ndihmës së shpejtë konstaton vdekjen

Driton Zenku
Botuar nga Driton Zenku 9 Korrik, 2024 19:12

Treni godet një 50 vjeçar, mjeku i ndihmës së shpejtë konstaton vdekjen

Një person i moshës 50 vjeçare humbi jetën si pasojë e goditjes nga treni që po shkonte nga Shkupi në Manastir. Ngjarja ndodhi në bulevardin “Serbia” në Shkup, ku sipas njoftimit të policisë, personi ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes, ndërsa vdekjen e tij e ka konstatuar mjeku i ndihmës së shpejtë. Nga atje nuk japin detaje lidhur me rrethanat, apo nëse sinjalistika ka funksionuar në kohën kur ka ndodhur aksidenti,  por thonë shkurt se po punohet për zbardhjen e plotë të rastit.

“Rasti në MPB është paraqitur mbrëmë në orën 20:20, ndërsa grupi hetimorë i policisë ka kryer hetim në vendin e aksidentit. Po ndërmerren masat për zbardhjen e rastit”, njoftojnë nga MPB-ja.

Se mungesa e sinjalistikës nëpër hekurudhat e vendit, çdo ditë rrezikon jetën e qytetarëve, alarmoi Alsat ditë më parë. Ekipi ynë vizitoi disa pika të vendit, ku sinjalistika nuk po funksiononte, ndërsa atje në të kaluarën shumë jetë u shuan pikërisht për shkak të mungesës së sinjalistikës.

Qytetarët e Rramanlisë së Kumanovës, thanë se sinjalistika nuk punon pothuajse kurrë, se ata janë shumë të shqetësuar sa herë që dëgjojnë sirenën e trenit, ndërsa shpesh ata vetë e luajnë rolin e sinjalistikës, me qëllim shmangien e aksidenteve të reja.

Në Rramanli, pothuajse të gjithë qytetarët që anketoi Alsat, kishin të paktën një familjar, apo të njohur që e kishin humbur ndër vite, si pasojë e aksidenteve në hekurudhë.  /Alsat.mk

Driton Zenku
Botuar nga Driton Zenku 9 Korrik, 2024 19:12