Katica Janeva kthehet në burgun e Idrizovës

Driton Zenku
Botuar nga Driton Zenku 10 Korrik, 2024 19:55

Katica Janeva kthehet në burgun e Idrizovës

Ish prokurores speciale, Katica Janeva i hiqet e drejtë për të punuar gjatë kohës sa po mban masën e dënimit me burg prej 7 vitesh pasi u shpall fajtore në rastin “Reket”. Janeva ishte angazhuar në zyrën e avokaturës e cila drejtohet nga djali i saj Llazar Janev. Informacionin për heqjen të drejtës së fituar në janar të këtij viti e konfirmoi Drejtoria e Zbatimit të Sanksioneve. Nga verifikimi i bërë është konstatuar se zyra e avokaturës ku ishte e angazhuar Janeva, momentalisht nuk është duke punuar.

“Pas informacioneve të marra në rrugë anonime, dërguam ekip për të kontrolluar adresën përkatëse. Është konstatuar se as zyra e avokaturës nuk është duke punuar dhe as Katica Janeva nuk është në punë. Është bërë verifikimi dhe është shkruar procesverbal. E kemi njoftuar edhe burgun e Idrizovës se të dënuarës Katica Janeva i hiqet e drejta për të punuar derisa mban dënimin me burg”, thonë nga Drejtoria e Zbatimit të Sanksioneve.

Sipas kushteve të përcaktuara në Ligjin për zbatimin e sanksioneve, Janeva ka pasur të drejtë që nga ora 8 e mëngjesit deri në ora 17 të angazhohet për punë, ndërsa më pas të kthehet në burg. Ligji parashikon që propozimi për një të drejtë të tillë të jepet nga burgu ku qëndron i dënuara, ndërsa pëlqimin për të e jep Drejtoria e Zbatimit të Sanksioneve. Ish prokurorja speciale u dënua me 7 vite burg pasi u shpall fajtore për shpërdorim me detyrën zyrtare në rastin “Reket” bashkërisht me Bojan Jovanovski “Boki 13” i cili u dënua me 9 vite burg./Alsat.mk

Driton Zenku
Botuar nga Driton Zenku 10 Korrik, 2024 19:55