Në finale ka dalë Gjermania, jo Spanja

Driton Zenku
Botuar nga Driton Zenku 10 Korrik, 2024 22:00

Në finale ka dalë Gjermania, jo Spanja

Gjykata Kushtetuese, arbitri përfundimtar i drejtësisë, është burim frymëzimi për një komedi ku personazhi kryesor është Parlamenti. Sot, më 10 korrik 2024, Gjykata njoftoi se: vendimi i saj i datës 23 Janar 2023, nuk është zbatuar ende nga Kuvendi!

Kujtoni pak Sokratin, filozofin grek që u dënua që të pinte kupën e helmit. I thanë që të ikte nga qelia, por zgjodhi të zbatonte vendimin.

Parlamenti ka marrë rolin e jurisë athinase, vetëm se këtë herë viktima nuk është një filozof, por autoriteti i gjykates. Ndryshe nga Sokrati, Gjykata Kushtetuese nuk po pi helm, por po rreket të zbatojë vendimin që ka marrë para 18 muajsh.

Te “Procesi” i Franz Kafkës, Joseph K. gjendet në një labirint pa fund të absurditetit burokratik. Tani imagjinoni Gjykatën Kushtetuese që merr vendime të cilat trajtohen nga Parlamenti si të ishin gjoba të policisë bashkiake apo sugjerime të kamarjerit në restorant. Kafka do të qe krenar.

Pse xhanëm duhet që deputetët të zbatojne vendimet e gjykatës?  A nuk mjafton që shumica ka miratuar reformën në drejtësi? Çfarë duan me shumë gjyqtarët?

Gjykata mund të ngulë këmbë si mushka se vendimet e saj janë “përfundimtare dhe të detyrueshme,” por ndalu beg se ka hendek. Ka gjykatë, por ka edhe Parlament.

Këmbëngulja e Gjykatës për sundimin e ligjit është e admirueshme, por ndoshta është koha të pranojmë absurditetin dhe arrogancen e shumicës që duhet falenderuar se ka bërë reformën në drejtësi dhe nuk i ka shkuar ende në mendje të ngrerë një komision parlamentar për të parë më nga afër se si po shkon reforma në drejtësi në Gjykatën Kushtetuese!

Imagjinoni një ndeshje ku gjyqtari jep penallti por  lojtaret vendosin se është rivenie fundore. Çfarë ndodh? Kaos i garantuar. Tifozet rebelohen. Autoriteti i gjyqtarit në fushë është aty për të siguruar drejtësi dhe rregull.  Pa respektuar vendimet e gjyqtarit, loja del jashtë loje!

P.sh, për parlamentin shqiptar gjyqtari anglez duhet të kishte dhënë penallti per Gjermanine në ndeshjen ndaj Spanjes. Fakti që nuk e ka dhënë nuk do të thotë asgjë. Për Parlamentin tone në finale të Europianit ka dalë Gjermania jo Spanja.

Driton Zenku
Botuar nga Driton Zenku 10 Korrik, 2024 22:00