Operatori i tretë për rritje konkurrenca: A po zhbëhet “duopoli”?

Driton Zenku
Botuar nga Driton Zenku 10 Korrik, 2024 22:39

Operatori i tretë për rritje konkurrenca: A po zhbëhet “duopoli”?

Nga shtetet e rajonit edhe një shtet si Mali i Zi me tre herë më pak banorë se Maqedonia, ka tre operatorë të telefonisë celulare. Nga shtetet e rajonit, Sllovenia është pothuajse e njëjtë me Maqedoninë për nga popullsia dhe territori, por ka tre operatorë të rrjetit celular

Tema e hyrjes së një operatori të ri të rrjetit celular është aktuale për më shumë se një dekadë në Maqedoni dhe ishte aktualizuar edhe me bashkimin e operatorit të dytë dhe të tretë. Po ashtu, me bashkimin e One dhe Vip-it, qytetarët nuk kanë shumë zgjedhje kur zgjedhin ofrues të shërbimeve celulare. Vite më parë në Maqedoni si rezultati i bashkimit të kompanive të telekomunikacionit çmimet në telefoninë celulare ishin rritur informoi Agjencia për komunikimet elektronike. Në vitin 2016, vlerësohej se me bashkimin e Telekomit të Maqedonisë me T-mobile dhe të One me Vip, kostoja e shërbimeve të celularit ishte rritur me 15 për qind, ndërsa ajo e internetit në celular me 20 për qind. Atëherë nga AKE njoftuan se do të angazhohen për të tërhequr një kompani të re në vend për të bërë konkurrencë.

Tre vite më parë, u theksua se me tenderin për miratimet për 5G që Agjencia e Komunikimeve Elektronike shpalli atëherë , parashikohen dy blloqe për hyrjen e një operatori rrjeti në telefoninë celulare. Hyrja e mundshme e një operatori të ri të rrjetit në vend do të forcojë konkurrencën në treg, i cili dominohet nga Telekomi i Maqedonisë dhe A1 Maqedonia, si dhe funksionojnë edhe tre operatorë virtualë, të cilët në vitet e kaluara kanë marrë përafërsisht tre për qind të pjesë e tregut. Gjithashtu investimi në infrastrukturën optike do të jetë kyç në treg.

Nga AKE disa vite më parë theksuan se ata si rregullator kanë siguruar të gjitha parakushtet teknike për hyrjen e një operatori të tretë celular. Tregu i telefonisë mobile në vendin tonë, me ekzistimin e vetëm dy operatorëve të rrjetit nuk është mjaft konkurrues. Për këtë flet fakti që jemi ndër vendet e vetme në Evropë ku ekzistojnë vetëm dy operatorë rrjeti. Në të gjitha vendet e tjera në Evropë, duke përfshirë ato me përmasa të ngjashme ose më të vogla, si Mali i Zi, Sllovenia, Qipro, Estonia, Ishujt Faroe, Islanda, Luksemburgu, Malta, Moldavia, ka tre ose më shumë operatorë rrjeti secili. Gjithashtu, në raportin e Komisionit Evropian të publikuar , thuhet se nevojiten përpjekje shtesë për përmirësimin e konkurrencës në sektorin e telekomunikacionit.

LICENCA PËR OPERATOR TË TRETË

Kësaj jave, Ministri i Transportit dhe zëvendëskryeministri, Aleksandar Nikolloski, paralajmëroi operatorin e tretë mobil në Maqedoni. Me këtë ai pret që të ulen çmimet e telefonisë mobile, televizionit kabllor dhe shërbimeve të internetit. “Po shqyrtojmë seriozisht mundësinë e dhënies së licencës për një operator të tretë celular. Analiza jonë tregon se çmimet për telefoninë celulare, si dhe për shërbimet e televizionit kabllor dhe internetit, janë më të larta se shumica e vendeve evropiane. Ekziston një duopol klasik në treg. Prandaj duhet të kërkojmë masa për t’i bërë shërbimet më të lira. Qytetarët duhet të kenë shërbime më të mira dhe më të lira”, ka paralajmëruar Nikolloski. Sipas tij, Qeveria në periudhën e ardhshme do të motivojë emra të mëdhenj nga bota e telekomunikacionit që të dalin në tregun maqedonas. “Është koha që shteti të veprojë për qytetarët”, ka shkruar Nikolloski.

Hyrja e një operatori të tretë celular ishte përmendur edhe vitin 2018, kur ministri i atëhershëm i Shoqërisë informatike dhe administratës, Damjan Mançevski, tha se po krijohen kushte për hyrjen e një operatori të tretë celular, i cili do të sjellë përfitime për qytetarët. Ai njoftoi se po përgatiten ndryshimet e një sërë aktesh nënligjore dhe masa të tjera specifike që do të mundësojnë hyrjen e një operatori të tretë celular. “Të gjitha këto aktivitete do të bëhen paralelisht me përpjekjet për të mos prishur konkurrencën e tregut, pra të dy operatorëve të tjerë ekzistues në vend. Qëllimi përfundimtar janë shërbime më të mira për qytetarët, me çmime më të ulëta”, tha Mançevski.

Vlen të rikujtojmë se para më shumë se 15 vitesh kishte interesim nga ana e kompanisë turke Turkcell që bëri ofertën për të blerë Cosmofone, para se të riemërohej në One. Edhe Në vitin 2018, Vivacom bullgar tregoi interes për blerjen e Telekomit të Maqedonisë.

Njëherësh në kohën e ish kryeministrit Zoran Zaev përflitej se investitorë nga Bullgaria janë të interesuar për blerjen e 51 të aksioneve të aksioneve nga Banka Komerciale dhe 35 për qind nga Telekomi i Maqedonisë ku në fakt shteti i Maqedonisë posedon më shumë se një të tretën të aksioneve, mirëpo kjo mbeti vetëm në nivel të paralajmërimeve.

HAPËSIRA DHE MUNDËSIA

Këto fakte të lartpërmendura do të thonë se pavarësisht tregut relativisht të vogël të Maqedonisë të telekomunikacionit, ekziston interes për hyrjen e një lojtari të ri në tregun e telekomunikacionit. Për më tepër kur kompanitë më të mëdha dhe më serioze që në fakt dominojnë shërbimet e telekomunikacionit në vend me vite janë ndër 20 bizneset më fitimprurëse. Telekomi i Maqedonisë në vitin 2022 ka pasur qarkullim prej 184 milionë euro dhe fitim prej 28 milionë euro, përderisa A1 ka pasur qarkullim prej afër 140 milionë euro dhe fitim prej 14.3 milionë euro. Nga shtetet e rajonit, Sllovenia është pothuajse e njëjtë me Maqedoninë për nga popullsia dhe territori, por ka katër operatorë të rrjetit celular. Në fakt në Slloveni tani do të ketë tre operatorë për shkak se Telemach Slovenia, në pronësi të operatorit evropian të telekomit dhe TV me pagesë United Group, planifikon të blejë kompaninë lokale të telekomunikacionit T-2. Dy operatorët e tjerë në Slloveni janë A1 Sllovenia dhe Telekom Sllovenia.

Nga shtetet e rajonit pasojat e duopolit në treg ka filluar ti vuajë edhe Shqipëria, ku Vodafone dhe ONE shtrenjtuan paketat, me përthithjen të dy operatorëve celularë (Albtelecom dhe One Telecomunication).

“Ulja e operatorëve celular, por edhe rezultatet e pakënaqshme financiare të tyre kanë sjellë qysh prej vitit të kaluar shtrenjtimin e paketave të komunikimit. Operatorët celular i kanë rritur çmimet për paketat bazike të komunikimit me parapagesë për 100 deri 200 lekë në dy vitet e fundit, por kanë ulur njësitë e përfshira të komunikimit në to, si një formë për të nxitur përdoruesit të lëvizin drejt paketave me çmim më të lartë. Një tendencë të ngjashme po shfaqin edhe paketat mujore të abonimit me kontratë”, tregojnë analizat. Sipas informacionit të raportuar në Autoritetin e Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP), për vitin e kaluar Vodafone Albania arriti një fitim neto në vlerën e 549 milionë lekëve, ndërkohë që vitin 2022 e pati mbyllur me një humbje neto prej 30 milionë lekësh.

Një fitim më të vogël ka raportuar operatori i dytë One Albania, por që gjithashtu e ka përmirësuar ndjeshëm rezultatin krahasuar me një vit më parë. Sipas AKEP, One Albania e mbylli vitin 2023 me një fitim neto në vlerën e 70 milionë lekëve, ndërkohë që për vitin 2022 kishte raportuar një humbje prej 469 milionë lekësh.

Në total, dy operatorët celularë fituan 619 milionë lekë vitin e kaluar, ndërsa viti 2022 ishte mbyllur me humbje neto në vlerën e 499 milionë lekëve. Dy operatorët e rrjeteve celulare, Vodafone Albania dhe One Albania, vitin e kaluar raportuan të ardhura prej komunikimeve elektronike në vlerën 25.43 miliardë lekë, shifër kjo afërsisht e njëjtë me vitin 2022. Nga pikëpamja e përdorimit të rrjeteve celulare, të dhënat e evidentuara nga AKEP-i tregojnë se numri total i kartave SIM arriti në rreth 3.8 milionë gjatë vitit 2023. Rreth 1.4 karta SIM për banor, shifër mё e lartё se mesatarja e rajonit tё Europës dhe ajo globale, përkatësisht 1.23 dhe 1.11 karta SIM për banor. Nga shtetet e rajonit edhe një shtet si Mali i zi me tre herë më pak banorë se Maqedonia, ka tre operatorë të telefonisë celulare.

Nëse analizojmë numrin e përdoruesve sipas kompanive, do të shohim se dy kompanitë janë tashmë në të njëjtën garë për të tretin vit: Mtel me mbi 482 mijë përdorues ose 36.7 për qind të pjesës së tregut dhe Telekomi i Malit të Zi me gati 478 mijë kartela aktive. Pra 36.4 për qind. Kompania e tretë – One Mali i Zi a vitin e kaluar ka shënuar një rënie të lehtë të numrit të përdoruesve në 353 mijë karta aktive, duke zënë pothuajse 27 për qind të pjesës së tregut të telefonisë celulare.

Këto kompani në vitin 2023 kanë pasur rekord të ardhurash prej 271 milionë euro me një rritje prej 25 për qind në raport me vitin paraprak. Këtu dominon Mtel me 111 milionë euro të ardhura dhe fitim prej 28.5 milionë euro, pasuar nga Telekomi i Malit të Zi me 84 milionë euro të ardhura dhe fitim prej 6.6 milionë euro. Kompania One Mali i Zi ka pasur të ardhura prej afër 62 milionë euro dhe fitim prej afër 11 milionë euro. (koha.mk)

Driton Zenku
Botuar nga Driton Zenku 10 Korrik, 2024 22:39