Bosnja shënon 29-vjetorin e “Gjeno*dit të Srebrenicës”

Driton Zenku
Botuar nga Driton Zenku 11 Korrik, 2024 19:20

Bosnja shënon 29-vjetorin e “Gjeno*dit të Srebrenicës”

Sot, më 11 korrik, është përkujtuar 29 vjetori i genocidit të Srebrenicës në Bosnje Herzegovinë. Ky është përvjetori i parë që kur Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara miratoi një rezolutë që shpalli 11 korrikun si Ditën Ndërkombëtare të Përkujtimit të masakrës të Srebrenicës. Në ceremoninë e përkujtimit ishin të pranishëm shumë zyrtarë vendas e të huaj.

Këshilli i Sigurimit i OKB-së në pranverën e vitit 1993 e shpalli Srebrenicën “zonë të sigurt”. Por trupat serbe të udhëhequra nga gjenerali Ratko Mlladiq, i cili më vonë u shpall fajtor për krime lufte, krime kundër njerëzimit dhe gjenocid, pushtuan zonën e OKB-së dhe vranë mbi 8.000 djem dhe burra myslimanë të cilët ishin strehuar në “zonën e sigurt”.

Ende nuk dihet fati i rreth 7.000 personave të zhdukur gjatë luftës dhe çdo vit gjenden mbetje të reja mortore të cilët varrosen në ceremoninë vjetore në Varrezën Përkujtimore në Potoçari. 14 viktima të reja të identifikuara të gjenocidit të Srebrenicës do të varrosen këtë vit.

Genocidi la plagë të thella emocionale te të mbijetuarit, familjet e viktimave dhe shoqërinë boshnjake, duke krijuar pengesa të qëndrueshme për pajtimin midis grupeve të ndryshme etnike të vendit.

Deri më sot, 45 serbë janë dënuar me gjithsej 699 vjet burg në rastet e dëgjuara në gjykata të ndryshme. /SHENJA/

Driton Zenku
Botuar nga Driton Zenku 11 Korrik, 2024 19:20