Pensionimi i Dobrilla Kacarskës përplas anëtarët e Këshillit Gjyqësor

Driton Zenku
Botuar nga Driton Zenku 11 Korrik, 2024 19:10

Pensionimi i Dobrilla Kacarskës përplas anëtarët e Këshillit Gjyqësor

Kryetarja e Këshillit Gjyqësor Vesna Dameva, letrën e njoftimit në Kuvend për pensionimin e gjykatëses kushtetuese Dobrilla Kacarska e ka dërguar pa pëlqimin e të gjithë anëtarëve të Këshillit Gjyqësor. Këtë e thotë, anëtarja e Këshillit Gjyqësor, Lloreta Georgieva në një dokument të 5 korrikut të këtij viti, ku pas informatave në media, i ka shkruar letër kryetares së Këshillit Dameva. Ne letër, Georgieva i thekson se ajo dhe disa gjykatës tjerë nuk pajtohen që të njoftohet Kuvendi.

“Në kolegjiumin e 02.07.2024 disa kolegë, anëtarë të Këshillit, përfshirë dhe mua, qartë dhe pa mëdyshje u deklaruam se nuk pajtohemi me atë që e kërkoni nga ne dhe se Këshilli nuk ka kompetencë të tillë, se mandati i gjykatësve të Gjykatës Kushtetuese të RMV-së është i rregulluar dhe garantuar me Kushtetutë, ashtu edhe kushtet për pensionimin e tyre dhe nuk pajtohemi me dorëzimin e njoftimit të tillë”, thuhet në letrën e anëtares së Këshillit Gjyqësor, Lloreta Georgieva.

Me tej, në letër Georgieva ia rikujton Damevës se në kërkesën e saj për votim, katër prej anëtarëve nuk kanë votuar fare pasi që nuk është kompetencë e tyre.

“Unë personalisht u deklarova se nuk do të pranoj të fshiheni prapa nesh në zbatimin e asaj që e kemi menduar dhe se çfarëdo që vlerësoni të bëni, e bëni në emrin tuaj dhe me nënshkrimin tuaj si kryetar, ndërkaq unë dhe një pjesë e kolegëve me të njëjtin mendim nuk do të jemi pjesë e saj”, thuhet në letrën e anëtares së Këshillit Gjyqësor, Lloreta Georgieva.

Në fund të letrës, Gorgieva thekson që Këshilli Gjyqësor vendime miraton në seanca dhe jo në kolegjiume, të cilat nuk filmohen dhe nuk mbahet proces verbal. Anëtarja e Këshillit, kërkon që në ueb-faqen e Këshillit të publikohet se vendimi për dërgimin e njoftimit nuk është bërë me mbështetjen e të gjithë anëtarëve.

Alsat sot kërkoi qëndrim nga Georgieva, por ajo nuk iu përgjigj thirrjes telefonike dhe sms-porosisë. Nga ana tjetër, kryetarja e Këshillit Gjyqësor, Vesna Dameva, në lidhje me këtë çështje për Alsat sot e përsëriti qëndrimin se nuk do të komentojë për asgjë në lidhje me çështjen pasi që kjo do të nënkuptohej si ndikim në procedurë.

Për rastin në fjalë, gjatë ditës së djeshme, Gjykata Kushtetuese miratoi konkluzë me të cilën i paralajmëroi organet shtetërore se nuk kanë të drejtë të vendosin për pensionimin e gjykatëses kushtetuese, pasi për këtë çështje vetëm ata janë kompetentë.

Sot, kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Darko Kostadinovski, nuk deshi të komentojë në pyetjen e Alsat për qëllimet e konkluzës dhe nëse ka pasur ndikime politike për këtë çështje.

Ndryshe, Kacarska para se të bëhet gjykatëse kushtetuese ka ushtruar detyrën e gjykatëses në Gjykatën Penale të Shkupit. Ajo ka punuar në lëndën Tanku, në të cilën i dënoi me burg ish kryeministrin Nikolla Gruevski dhe ministren e Brendshme, Gordana Jankullovska. Kacarska, gjithashtu i dënoi edhe të akuzuarit për sulmin në Kuvend më 27 prill të vitit 2017.

VMRO-DPMNE-ja derisa ishte në opozitë ishte kritikuese e ashpër e Kacarskës. Sipas tyre, Kacarska është e afërt me LSDM-në, ndërkaq është bërë gjykatëse kushtetuese, si shpërblim për aktgjykimet e shqiptuara kundër funksionarëve dhe pjesëtarëve të VMRO-DPMNE-së.  /Alsat.mk

Driton Zenku
Botuar nga Driton Zenku 11 Korrik, 2024 19:10