Shoferët e linjave private: Nëse nuk ndërmerren masa, do të ndërpresim qarkullimin

Driton Zenku
Botuar nga Driton Zenku 11 Korrik, 2024 19:08

Shoferët e linjave private: Nëse nuk ndërmerren masa, do të ndërpresim qarkullimin

Shoferin e autobusit të linjës private me numër nëntëmbëdhjetë e takuam duke përfunduar turnin e fundit në ora 11:00.

Pas përfundimit të turnit dhe ndalesës së fundit në Shuto Orizore, Iseni parkon autobusin.

“Ky është drejtimi i fundit dhe e ndërpresim punën. A keni pasur takim me drejtorin? Deri tani nuk kishim, nuk ka as pagesë, as takim, nuk ka zgjidhje. Për momentin ka mbetur “status quo”. Nuk kishim takim por siç është thënë edhe më herët nuk kemi mundësi të vazhdojmë kështu, nëse nuk bëhet pagesa, nëse nuk ndërmerren masa do të duhet të ndërpresim punën totalisht e jo në mënyrë të reduktuar. Ne jemi detyruar me paratë tona të vetëfinancojmë, ne kemi marrëveshje me NQP-në dhe atje nuk shkruan askund që ne duhet të mbajmë transportin urban me vetëfinancim, por shkruan qartë se çdo javë obligohet NQP-ja që të na bëjë pagesën 70% që të mund të funksionojmë e jo 6 muaj që s’kemi të ardhura”, deklaroi Isen Halili, shofer i linjës 19.

Përveç linjës me numër nëntëmbëdhjetë, edhe linjat tjera private qarkulluan me orar të reduktuar shkaku i mos pagesës së borxhit nga ana e Ndërmarrjes së Qarkullimit Publik. Ndërsa në këtë kaos të krijuar janë vetë qytetarët që e pësojnë më së shumti duke pritur me orë në temperatura të larta.

“Shteti duhet të merr masa e jo ne, çfarë të bëjmë ne asgjë, prit -prit ose me taxi ose diçka tjetër duhet të gjendemi. Nuk i intereson askujt, e gjithë puna është te shteti, nuk interesohen, populli ankohet, nxehtë. Një grua dje ra në tokë nga i nxehti”, tha një qytetar.

“Edhe të qytetit nuk kanë klimë.. edhe të qytetit nuk kanë klime jo, tani me pesëdhjetën erdha nuk kishte klimë. Dje një orë pritem, hymë lartë në pesëdhjetën s’kishte klimë, pastaj kishte tek 59, por nuk janë të rregullt”, u shpreh një tjetër qytetar.

Sipas vozitësve privatë nëse deri të hënën nuk realizohet takimi me drejtorin e NQP-së dhe nuk gjendet zgjidhje, vozitësit privatë paralajmëruan se mund të ndërpresin tërësisht qarkullimin e linjave private të transportit publik në Shkup. /Alsat.mk

Driton Zenku
Botuar nga Driton Zenku 11 Korrik, 2024 19:08