Ahmeti: Nuk kam kontakt me Grubin dhe nuk kam informacione të detajuara se ku ndodhet

Flaka
Botuar nga Flaka 30 Dhjetor, 2024 23:32

Ahmeti: Nuk kam kontakt me Grubin dhe nuk kam informacione të detajuara se ku ndodhet

Lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti thotë se nuk ka informacione të detajuara se ku ndodhet Artan Grubi, pasi është thirrur publikisht të tregojë se ku gjendet pas deklaratës së djeshme se ai është në territorin shqiptar.

“Personalisht nuk kam kontakt me Artan Grubin dhe nuk kam informacione të detajuara për vendndodhjen e tij. Deklarata ime e djeshme është bazuar në atë që është deklaruar publikisht nga përfaqësues të Qeverisë, por edhe nga fakti se ai ka kaluar ligjërisht kufirin Maqedoni-Kosovë. Besoj fuqishëm se çdo qytetar, përfshirë edhe z. Grubi meriton një proces gjyqësor të drejtë dhe joselektiv”, ka thënë Ahmeti për TV 21.

Kryeministri Hristijan Mickoski tha sot se shpreson që Prokuroria ta thërrasë liderin e BDI-së Ali Ahmeti që siç raportuan dje mediat kosovare, deklaroi se ish zëvendëskryeministri Artan Grubi ndodhet në territorin shqiptar dhe se do të kthehet në vend vetëm nëse nuk ka hakmarrje dhe drejtësi selektive.

“Shpresoj se kjo do të arrijë deri te Prokuroria dhe do të ketë procedurë juridike, ku nëse kemi persona që e din se ku gjendet i arratisuri nga ligji, do ta ftojë atë person dhe ai do të japë përgjigje në pyetjen se ku gjendet i arratisuri nga drejtësia. Për gjithçka tjetër mund ta japë koment se secilit i është e qartë se si janë vendosur prokurorët dhe gjykatësit gjatë shtatë viteve të kaluara. Të njëjtit ata, pa të cilët nuk ka mundur të kalojë kualifikimi përmes Akademisë së gjykatësve dhe prokurorëve publikë, tani thonë se drejtësia dikujt i është pamundësuar dhe se kjo është përndjekje politike. Të përkujtoj – personi i përmendur i arratisur gjendet në listën e sanksioneve të SHBA-së dhe aty qartë thonë se ky person së bashku me një tjetër lidhen me skandale të shumta korruptive. Supozoj se nuk do ta akuzojnë edhe Departamentin e Shtetit se bëjnë përndjekje politike”, deklaroi sot Mickoski.

Sipas kryeministrit, mënyrë më e lehtë që të dëshmohet nëse dikush është fajtor apo jo, është të vjen, të dëshmojë dhe të ballafaqohet me drejtësinë.

Nga Prokuroria republikane publike sot kanë dalë me informatë se për Grubin është shpallur fletëarrest kombëtar dhe ndërkombëtar dhe se organet e vendit dhe ndërkombëtarë të obliguara për kryerjen e atyre urdhrave kanë autorizim që t’i ndërmarrin të gjitha masat e domosdoshme, duke përfshirë edhe thirrjen e personave tjerë nëse ata kanë njohuri ku gjendet i dyshuari.

“Prokuroria publike ka lëshuar urdhër për shpalljen e urdhërarrestit kombëtar dhe ndërkombëtar për personin e dyshuar. Organet e vendit dhe ndërkombëtarë, të obliguar për kryerjen e atyre urdhrave i kanë të gjitha autorizimet që t’i ndërmarrin të gjitha veprimet e domosdoshme për kërkimin e personit, duke përfshirë edhe të bëjnë thirrje dhe zhvillojnë biseda me persona tjerë, të cilët do të mund të kenë njohuri për lokacionin, ku gjendet i dyshuari”, thuhet në përgjigjen e PPRMV-së.

Flaka
Botuar nga Flaka 30 Dhjetor, 2024 23:32
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Marrja e paautorizuar e teksteve dhe videove me të drejtë autoriale ose ndonjë përmbajtje të ngjashme pa pëlqimin paraprak me shkrim të Flaka Media do të konsiderohet shkelje e të drejtave autoriale dhe për këtë Flaka e ruan të drejtën të kërkojë kompensim përkatës monetar.Mosrespektimi dhe abuzimi i të drejtave autoriale dhe të drejtave simotër dënohet me ligj.Çdo marrje e paautorizuar, shfrytëzim, përdorim apo publikim i tekstit, fotografitë ose videot apo çfarëdo përmbajtje tjetër e ngjashme që paraqet pronësi të Flaka Media, pa pëlqim paraprak me shkrim nga redaksua, ndalohet rreptësisht dhe për të njëjtën paguhet kompensim përkatës financiar, për çka pronari ka të drejtë të nis procedurë përkatëse.Në rast të marrjes së teksteve autoriale dhe videove apo çfarëdo përmbajtje tjetër, në mënyrë të obligueshme nevojitet pëlqim paraprak nga Flaka Media dhe vendosje të linkut që do të çojë deri në web faqen e Flaka Media.