Samiti i 6-të i Komunitetit Politik Evropian në Tiranë: Ripërtëritje e Evropës
Shqipëria mirëpriti sot samitin e gjashtë të Komunitetit Politik Evropian me moton “Evropa e re në një botë të re”, një ngjarje e nivelit të lartë që mblodhi së bashku liderë shtetesh dhe qeverish, si dhe përfaqësues të institucioneve ndërkombëtare.
Pas përfundimit të punimeve, në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit u mbajt një konferencë për mediat nga Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, dhe Kryeministrja e Danimarkës, Mette Frederiksen – vendi pritës i samitit të ardhshëm.
Në deklaratën e tij, kryeministri Rama u shpreh se ky samit shënoi një përkushtim të ripërtërirë ndaj kontinentit dhe qytetarëve evropianë, duke theksuar rëndësinë e investimit në inovacion dhe në fushat kyçe për zhvillimin e mëtejshëm të Evropës.
“Sot në Tiranë kemi një përkushtim të ripërtërirë ndaj kontinentit tonë, për t’i mbajtur fort bashkë vlerat dhe parimet që udhëheqin shoqëritë tona. Tryezat e diskutimit ishin të frytshme dhe përfundimet ishin shumë interesante,” – deklaroi Rama.
Ai theksoi gjithashtu se vendet pjesëmarrëse përfaqësojnë një treg me potencial të madh dhe se bashkëpunimi ndërmjet tyre është kyç për të përballuar sfidat e kohës.
Nga ana e saj, Kryeministrja Frederiksen vuri theksin te siguria dhe mbrojtja si prioritete kyçe për Evropën në kushtet e një bote gjithnjë e më të pasigurt.
“Rusia paraqet një kërcënim real jo vetëm për Ukrainën, por për të gjithë ne, përmes sulmeve kibernetike dhe dezinformimit. Riarmatimi i Evropës duhet të jetë prioriteti numër një,” – u shpreh ajo.
Një tjetër temë e trajtuar në samit ishte emigracioni, të cilin Frederiksen e cilësoi si një sfidë me pasoja të shumta për vendet evropiane, veçanërisht në pjesën veriore të kontinentit.
Në lidhje me luftën Rusi-Ukrainë, Frederiksen përmendi edhe sinjalet nga SHBA, për gatishmërinë për sanksione të reja në rast të mungesës së vullnetit nga ana e Rusisë për një marrëveshje për armëpushim.
Samiti në Tiranë u konsiderua një sukses diplomatik dhe organizativ për Shqipërinë, duke e vendosur vendin në qendër të vëmendjes evropiane dhe duke dëshmuar rolin e saj në nxitjen e bashkëpunimit politik dhe strategjik në kontinent.
















