Flaka Editorial: Taravari dhe zhgënjimi i një koalicioni të dështuar!
Një moment i pazakontë është zbuluar nga deputeti Halil Snopçe, i cili ka komentuar zhvillimet e fundit në marrëdhëniet brenda qeverisë dhe pozicionin e Arben Taravarit, liderit të Aleancës për Shqiptarët, shkruan Flala
Duke përmendur njohjen e tij shumëvjeçare me Taravarin, Snopçe ka rrëfyer një nga momentet më të trishta që e ka përjetuar në publik këtë figurë politike.
“Arbenin e njoh 45 vjet. Aq mirë e njoh, saqë ende e mbaj mend edhe çantën e librave që e kishte kur ishim në klasë të parë,” tha Snopçe, duke evokuar një afërsi të veçantë me Taravarin.
Por sipas tij, momenti më tronditës ishte kur kryeministri Hristijan Mickoski tha publikisht se “do t’i heq për veshi nëse duhet”, duke iu referuar bashkëpunëtorëve të tij. Taravari ishte pranë tij në atë konferencë shtypi, në cilësinë e ministrit të Shëndetësisë.
“Ajo fytyrë e Arbenit ishte shprehje dëshpërimi. Nuk e kam parë kurrë më parë ashtu,” u shpreh Snopçe, duke lënë të kuptohet se ky moment ishte një pikë kthese.
Për këtë dhe shumë arsye të tjera, Arben Taravari dha dorëheqje nga posti i ministrit, dhe Aleanca për Shqiptarët u tërhoq nga pozita qeveritare për të vijuar rrugën e saj opozitare.
Snopçe ngre pyetjen e nënkuptuar në fund të deklaratës: “A është koincidencë apo jo? Secili le të gjykojë për veten e tij.”
Kjo deklaratë, përveçse hedh dritë mbi tensionet e brendshme në qeveri, nxjerr në pah edhe vështirësinë e bashkëjetesës politike në një klimë të brishtë ku mungesa e respektit dhe retorika e nënçmimit mund të çojnë në kriza serioze bashkëpunimi.
Në ndërkohë, ka qenë lideri i ASH-së që ka shprehur disa herë shqetësimit e tij për (mos) funksionimin e kualicionit dhe qeverisë.
Pas 11 muajsh në pushtet, që nga zgjedhjet parlamentare të 8 majit 2024 ku ASH fitoi 14 mandate, Taravari deklaron se asnjë nga pikat kyçe të programit zgjedhor nuk është realizuar dhe për këtë arsye partia ka vendosur të largohet nga Qeveria.
“Ne jemi ndjerë të margjinalizuar dhe të papërfillur në vendimmarrje,” – tha Taravari, duke shtuar se VMRO-DPMNE dhe ZNAM, dy partnerët maqedonas në pushtet, kanë 64 deputetë dhe kanë krijuar shumicë pa pasur nevojë për ASH.
Sipas tij, ka pasur:
- Mospërmbushje të marrëveshjes për ligjin për përfaqësim të drejtë,
- Shfuqizim të mekanizmit të Badenterit, që garantonte përfaqësimin e barabartë të etnive,
- Mungesë decentralizimi dhe kompetenca të kufizuara për komunat,
- Punësime të pabalancuara në institucione – në favor të maqedonasve.
“107 mijë vota në zgjedhjet parlamentare tregojnë mbështetjen tonë – do i kthehemi qytetarit,” deklaroi ai, duke uruar partnerët e mbetur në Qeveri për sukses, por duke theksuar se rruga e përbashkët nuk ishte më e mundur për shkak të mospranimit të ultimatumeve dhe mospërmbushjes së marrëveshjeve. Flaka Media
Ai shton se diskordinimi i brendshëm brenda koalicionit VLEN është shfrytëzuar nga VMRO për të dobësuar zërin e partive shqiptare. Flaka