Fetai kundërshton shkarkimin, Taravari emëron kryetar të ri të Kuvendit
Në një kuvend të jashtëzakonshëm të mbajtur nga krahu i Arben Taravarit brenda Aleancës për Shqiptarët, është shkarkuar kryetari i Kuvendit të partisë, Arben Fetai, së bashku me disa anëtarë të tjerë të strukturës partiake, transmeton Flaka. Ky zhvillim vjen mes tensioneve të brendshme që kanë shpërthyer pas vendimit të partisë për t’u larguar nga Qeveria dhe koalicioni VLEN.
Pas shkarkimit, Arben Fetai reagoi sot përmes një konference për media, ku theksoi se mbledhjet që po quhen “kuvende partiake” nuk përfaqësojnë as frymën dhe as statutin e Aleancës për Shqiptarët.
“Qeveria sot është më e paqëndrueshme se kurrë, por e përkushtuar ndaj reformave dhe integrimit. Aleanca për Shqiptarët ka një rol kyç në këtë proces dhe ne nuk do të heqim dorë nga misioni ynë,” deklaroi Fetai.
Ai shtoi se është i zhgënjyer për fyerjet ndaj të rinjve dhe grave në parti dhe u zotua se grupi që përfaqëson do të vazhdojë të jetë një partner i barabartë në kuadër të koalicionit VLEN.
“Aleanca do të ndërtojë, jo të rrënojë; do të bashkojë, jo të ndajë. Ne mbajmë besën për të qenë zëri i qytetarëve në çdo lagje e çdo fshat,” përfundoi Fetai.
Ndërkohë, Nazim Taipi është zgjedhur kryetar i ri i Kuvendit të Aleancës. Gjatë të njëjtës mbledhje u përjashtuan disa anëtarë të Kryesisë, të cilët, sipas Taravarit, “po flasin publikisht kundër partisë.”
“Përjashtimi nuk përfshiu Mimoza Musën, sepse mesazhi i saj nuk ishte i qartë nëse qëndron me Aleancën apo me VLEN-in,” sqaroi Taravari.
Ai nënvizoi se vendimi për largimin nga Qeveria është konfirmuar nga Kuvendi i partisë dhe se Aleanca do të garojë e pavarur në zgjedhjet lokale të tetorit. Taravari nuk e përjashtoi mundësinë e bashkëpunimit me BDI-në, VLEN-in apo parti të tjera opozitare në disa komuna, përfshirë Manastirin, Kërçovën, Bërvenicën, Çashkën, Prespën dhe Butelin.
Kujtojmë se Arben Taravari ka dhënë zyrtarisht dorëheqjen nga posti i ministrit, duke përforcuar orientimin e partisë për t’u distancuar nga Qeveria aktuale dhe për të ndjekur një rrugë të re në skenën politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut. Flaka Media