Zülfikar Zeynula zgjidhet Kryetar i Partisë Demokratike Turke

Flaka
Botuar nga Flaka 25 Maj, 2025 22:11

Zülfikar Zeynula zgjidhet Kryetar i Partisë Demokratike Turke

Zülfikar Zeynula është zgjedhur kryetar i ri i Partisë Demokratike Turke (PDT) në Maqedoninë e Veriut, në Kongresin e 11-të të rregullt të mbajtur së fundmi, raporton “Gostivari Sot“. Në garën për postin e kryetarit morën pjesë tre kandidatë: Muhittin Kahveci nga dega e Gostivarit, Erdal Ahmedi nga Vrapçishti dhe vetë Zeynula nga Banjica e Epërme.

Në raundin e parë të votimit, Zeynula kryesoi me 163 vota, ndjekur nga Ahmedi me 112, ndërsa Kahveci u eliminua nga gara me 52 vota. Në raundin përfundimtar, Zeynula siguroi fitoren me 220 vota të delegatëve, kundrejt 105 votave të Ahmedi-t.

Në deklaratën e tij para votimit, Zeynula e cilësoi ditën si historike për PDT-në dhe për komunitetin turk në Maqedoninë e Veriut. Ai theksoi se rezultatet e këtij kongresi do të ndikojnë në të ardhmen e partisë dhe të gjithë komunitetit që ajo përfaqëson.

“Uroj që ky kongres të kalojë në një atmosferë demokratike dhe të sjellë dobi për shtetin tonë, për popullin tonë dhe për kombin turk,” deklaroi Zeynula.

Duke kujtuar historinë 33-vjeçare të partisë, Zeynula theksoi nevojën për një vizion të ri dhe entuziazëm të freskët. Në prioritetet e tij pas zgjedhjes përfshihen: takimi me qytetarët, themelimi i degës së grave, forcimi i degës së të rinjve dhe reformimi i statutit të partisë.

Ai shprehu vendosmërinë për të forcuar PDT-në dhe për ta përgatitur për sfidat e ardhshme zgjedhore, duke e përmbyllur fjalën me mesazhin se e ndërmori këtë detyrë me ndjenjë të lartë përgjegjësie dhe përkushtimi. Gostivari Sot

Flaka
Botuar nga Flaka 25 Maj, 2025 22:11
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin. Flaka Media