Ibrahimi i drejtohet Ahmetit: Se ke hallin e shqiptarisë, ke dertin e Soravisë

Flaka
Botuar nga Flaka 27 Maj, 2025 18:21

Ibrahimi i drejtohet Ahmetit: Se ke hallin e shqiptarisë, ke dertin e Soravisë

Zeqirija Ibrahimi i VLEN-it i ka rikujtuar Ali Ahmetit të gjitha 
veprimet e BDI-së që u kanë sjellë dëme shqiptarëve, gjatë kohës sa kanë 
qenë në pushtet.

Reagimi i plotrë i Ibrahimit:

Zotni, ti nuk e ke hallin e shqiptarisë, por vetëm dertin e Soravisë.

Kur ai është në pushtet, anise gratë shqiptare tërhiqen zvarrë dhe 
shqiptarët burgosen me burg të përjetshëm.

Kur ai është në pushtet, anise shqiptarëve u ndodhin “Monstra”, “Alfa” 
dhe “Lagjja e trimave”.

Kur ai është në pushtet, anise pushteti i tij e vret Harun Aliun dhe 
shokët e tij.

Kur ai është në pushtet, anise të rinjtë shqiptarë rrihen nëpër autobusë 
dhe u ndalohet shkollimi në Çashkë.

Kur ai është në pushtet, anise ushtarët e UÇK-së arrestohen pa nam e 
nishan.

Kur ai është në pushtet, anise bëhet “Shkupi 2014” me Car Dushana e 
Pallat Oficerësh mbi themelet e xhamisë Burmali.

Kur ai është në pushtet, anise ministrat e tij luajnë futboll në qeveri 
e tallen me qytetarët.

Kur ai është në pushtet, anise në kufi shqiptarët presin me dhjetëra 
orë.

Kur ai është në pushtet, anise shqipja nuk është zyrtare, sepse ai e 
kamuflon me PR.

Kur ai është në pushtet, anise arsimi shqip nuk fiton asnjë denarë.

Kur ai është në pushtet, anise komunat shqiptare mbeten pa kanalizim e 
ujë të pijshëm.

Me rëndësi ai të jetë në pushtet, familja e tij të blejë qendra tregtare 
si “Soravia”, ministrat e tij të bëhen milionerë të kazinove e tymi i 
daltë!

E kur ai shkon në opozitë, atëherë “e vuajka” gjendjen e shqiptarëve.

Jo, zotni, ti nuk e ke hallin e shqiptarisë, por vetëm dertin e 
Soravisë.

Flaka
Botuar nga Flaka 27 Maj, 2025 18:21
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin. Flaka Media