Punësime të reja vetëm për maqedonas në HEC Mavrovë – Vërtok, reagon opozita shqiptare

Flaka
Botuar nga Flaka 27 Maj, 2025 18:00

Punësime të reja vetëm për maqedonas në HEC Mavrovë – Vërtok, reagon opozita  shqiptare

Dymbëdhjetë punësime të reja janë bërë në Hidrocentralin Mavrovë – Vërtok, që ndodhet në territorin e komunës së Gostivarit, përcjell Flaka. Sipas të dhënave të publikuara, të gjithë të punësuarit janë maqedonas, ndërkohë që asnjë qytetar shqiptar nuk është përfshirë, pavarësisht faktit se bëhet fjalë për një zonë me shumicë shqiptare.

Reagimet nga partitë shqiptare të opozitës kanë qenë të menjëhershme dhe të ashpra.

Arben Taravari nga Aleanca për Shqiptarët (ASH) deklaroi se ky rast është dëshmi e qartë se partneri shqiptar në qeveri, koalicioni VLEN, është i injoruar nga VMRO-DPMNE.

“Edhe në zemër të Gostivarit, VLEN-i vazhdon të mos llogaritet fare. Premtimet e tyre për 2000, më pas 2500 e në fund 3000 punësime për shqiptarët, po dalin vetëm fjalë boshe. Me busull të humbur dhe me sytë nga ndonjë kërcik posti, VLEN ka mbetur vetëm si dekor në Qeveri,” tha Taravari.

Ai përmendi edhe një rast të fundit kur kryeministri Hristijan Mickoski, i pyetur për këtë çështje në Tetovë, nuk dha asnjë përgjigje konkrete, pasi ndërhyrja e Bilall Kasamit shmangu diskutimin.

Nga Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), reagoi Valdet Xhaferi, i cili e cilësoi këtë situatë si një akt të qëllimshëm diskriminimi.

“12 maqedonas – 0 shqiptarë! Në një qytet si Gostivari, ku shqiptarët janë shumicë, ky nuk është përjashtim, por akt poshtërues i qëllimshëm. Shqiptarët presin përfaqësim të barabartë, ndërsa VMRO feston diskriminimin dhe VLEN hesht. Ky nuk është ndryshimi që iu premtua shqiptarëve. BDI nuk do të hesht përballë kësaj padrejtësie. Ne nuk i shesim shqiptarët për poste dhe nuk bëhemi dekor,” u shpreh Xhaferi.

Sipas tij, shqiptarët nuk janë numra apo kukulla politike dhe meritojnë përfaqësim të barabartë në çdo institucion shtetëror.

Ky zhvillim vjen në një moment të ndjeshëm politik, ku balanca e përfaqësimit dhe respektimi i parimeve të barazisë etnike mbeten çështje kyçe në diskursin publik dhe në marrëdhëniet brenda koalicionit qeverisës.

Flaka
Botuar nga Flaka 27 Maj, 2025 18:00
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin. Flaka Media