Snopçe sfidon ministrat shqiptarë: Prej kujt po fshiheni?
Deputeti i Aleancës për Shqiptarët (ASH), Halil Snopçe, ka reaguar ashpër ndaj mungesës së ministrave shqiptarë në seancën e Kuvendit të dedikuar për parashtrimin e pyetjeve të deputetëve, transmeton Flaka
Nga foltorja e Kuvendit, Snopçe ka ngritur shqetësimin për mungesën e përgjegjësisë institucionale të ministrave shqiptarë, duke përmendur me emra: Izet Mexhitin, Fatmir Limanin, Admirim Murtezanin, Azir Durmishin dhe Arben Fetain.
“Edhe pse kanë obligim të paraqiten para deputetëve dhe të qëndrojnë deri në fund, asnjëri prej tyre nuk është i pranishëm. Pse nuk dalin para deputetëve? Prej nga frikësohen?”, është pyetja që Snopçe ka parashtruar në mënyrë publike.
Ai ironizoi se nuk ka ndërmend të bëjë pyetje të sikletshme: “Le të rrinë rahat. Nuk kemi ndërmend ta pyesim Izetin për akuzat e kryetares së Shkupit për mafian urbane. Poashtu, nuk do ta pyesim Orhanin për situatën e eurointegrimeve, as ministrat tjerë nuk kemi ndërmend t’i ngacmojmë.”
Deputeti opozitar përfundoi me një thirrje për përgjegjësi, duke theksuar se interesi i tij si përfaqësues është të kërkojë përgjigje për problemet reale të qytetarëve:
“Po të kishin argumente për suksese në punën e tyre, nuk do t’i shmangeshin ballafaqimit me deputetët. Ne do t’i pyesim vetëm për hallet dhe shqetësimet e qytetarëve, ashtu siç kemi bërë gjithmonë.” Flaka