Dy ngjarje tragjike në rajon: Vdes 19-vjeçarja në Budva, viktima nga tërmeti në Turqi
Një ditë e rëndë për rajonin është shënuar nga dy ngjarje tragjike që kanë tronditur opinionin publik në Mal të Zi dhe Turqi, shkruan Flaka Media
Budva: Vdes 19-vjeçarja serbe gjatë fluturimit me parashutë
Në Rivierën e Budvës, një vajzë 19-vjeçare nga Serbia, Tijana Radonić, ka humbur jetën në mënyrë tragjike pasi ra nga një lartësi prej rreth 50 metrash gjatë një fluturimi me parashutë.
Sipas pamjeve nga kamerat e sigurisë, e reja shihet në gjendje paniku, duke hequr fillimisht jelekun dhe më pas edhe rripat e sigurisë që e mbanin të lidhur me pajisjen fluturuese. Pak çaste më vonë ndodh rënia fatale. Dëshmitarët thanë se ajo bërtiste “Më ulni poshtë!” dhe “Ndihmë!” para se të binte.
Tijana po merrte pjesë në xhirimet e një reklame për një agjenci turistike lokale. Dyshohet se ajo ka pësuar një sulm paniku, i cili e ka shtyrë të ndërmarrë veprimin fatal. Autoritetet malazeze kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rastit.
Ndërkohë, në Turqi, një tërmet me magnitudë 5.8 të shkallës Rihter ka tronditur disa rajone gjatë orëve të para të mëngjesit. Lëkundjet janë ndjerë fuqishëm në Mugla, Izmir, Antalia, Aydın, Denizli dhe Manisa.
Fatkeqësisht, siç raportojnë mediat turke, një 14-vjeçare ka humbur jetën si pasojë e një sulmi paniku. Po ashtu, 69 persona janë plagosur, shumica pasi janë hedhur nga ballkonet apo katet e larta për shkak të frikës nga lëkundjet.
Autoritetet turke janë në terren për të vlerësuar dëmet dhe për të ndihmuar banorët e prekur nga paniku. Në Greqi, ku gjithashtu u ndjenë lëkundjet, nuk ka raportime për dëme apo viktima. Flaka Media