Bexheti: VLEN po hesht – pushteti po u ikën nga duart!
Deputeti i BDI-së, Blerim Bexheti, ka reaguar ashpër ndaj ndryshimeve të propozuara në Ligjin për Menaxhim me Kriza, duke akuzuar koalicionin VLEN për heshtje të turpshme dhe dorëzim të plotë të kompetencave ndaj VMRO-së.
Sipas ndryshimeve të reja ligjore, drejtori i Qendrës për Menaxhim me Kriza (QMK) – që aktualisht vjen nga radhët e VLEN-it – nuk do të jetë më përgjegjës për udhëheqjen e Shtabit Kryesor për menaxhim me kriza. Kjo kompetencë i kalon një personi që do të caktohet direkt nga kryeministri.
“Në praktikë kjo do të thotë se drejtori i QMK-së nuk do të ketë më asnjë fjalë në menaxhimin e krizave në vend,” thekson Bexheti.
“Kompetencat që i takonin institucionit, i merren dhe i kalohen dikujt që e zgjedh VMRO-ja,” shton ai.
Deputeti ngre pyetjen thelbësore:
A do ta mbështesë VLEN këtë ndryshim ligjor, vetëm për të mbajtur karriget, edhe pse pa kompetenca?
Sipas tij, nëse VLEN e pranon këtë, atëherë tregon qartë se nuk ka as vullnet për të mbrojtur interesin publik dhe as respekt për kuadrot që vetë i ka vendosur në institucione.
“Servilizmi i VLEN nuk po vlen as për njerëzit e vet. Po të kishin në konsideratë kuadrot që i kanë futur në pushtet, do ta mbronin institucionin dhe funksionin e tyre. Por mesa duket, më i rëndësishëm është pazari – jo funksioni, jo kompetencat dhe as parimet,” u shpreh Bexheti.
Ai ironizoi edhe pozicionin aktual të përfaqësuesit të VLEN-it në QMK:
“Çfarë pune do të bëjë tani Muhamed Ali nga VLEN?”
Në fund, Bexheti paralajmëron se me këtë ritëm, VLEN do të mbetet vetëm një spektator i heshtur në një qeveri që nuk i merr seriozisht as si partnerë, e as si përfaqësues të shqiptarëve. Flaka Media