ASH: 36 të punësuar në bujqësi, asnjë shqiptar – VLEN-i dëshmon paaftësi të vazhdueshme

Flaka
Botuar nga Flaka 5 Qershor, 2025 20:34

ASH: 36 të punësuar në bujqësi, asnjë shqiptar – VLEN-i dëshmon paaftësi të vazhdueshme

Aleanca për Shqiptarët (ASH) ka reaguar ashpër ndaj punësimeve të fundit në institucionet që varen nga Ministria e Bujqësisë, duke akuzuar koalicionin VLEN për “heshtje bashkëfajtore” dhe “dështim total në mbrojtjen e interesave të shqiptarëve”.

Sipas ASH-së, në bazë të dokumenteve zyrtare, janë realizuar 36 punësime, ku asnjë shqiptar nuk është përzgjedhur.

“Sa herë mendojmë se VLEN-i ka arritur fundin e paaftësisë për të mbrojtur interesin shqiptar në pushtetin ekzekutiv, ata na dëshmojnë të kundërtën,” thuhet në reagimin e ASH-së.

Në konkursin publik nr. 01/2025, të shpallur nga Inspektorati Shtetëror për Bujqësi, nga gjithsej 20 pozita të hapura, janë pranuar 15 kandidatë, të gjithë maqedonas.

Po ashtu, më 6 maj 2025, Agjencia për Mbështetje Financiare në Bujqësi dhe Zhvillim Rural (IPARD) shpalli dy konkurse të ndara për punësim:

  • Njëri për 5 pozita me afat deri më 31 dhjetor 2025
  • Tjetri për 17 pozita me afat deri më 30 shtator 2025

Nga të dy konkurset janë pranuar 21 kandidatë, dhe sipas ASH-së, të gjithë janë me përkatësi maqedonase.

“Bilanci është i qartë: 36 të punësuar, asnjë shqiptar. Këto janë të dhëna zyrtare që dëshmojnë se diskriminimi institucional etnik është jo vetëm prezent, por aktiv,” thuhet më tej në reagim.

ASH ngre shqetësimin se përfaqësuesit shqiptarë në qeveri jo vetëm që nuk reagojnë, por përpiqen të fshehin situatën.

“Shqiptarët pyesin me të drejtë: Ku është zëri i VLEN-it që premtonte fundin e zollumit? Kush po i mbron të drejtat e tyre kur ndodhin punësime të tilla të njëanshme?”, vijon kumtesa.

Në fund, ASH i bën thirrje gjithë spektrit politik shqiptar në pushtet që të marrë përgjegjësi:

“Koha e alibive ka përfunduar. Shqiptarët nuk mund të trajtohen si qytetarë të rendit të dytë në institucionet e shtetit që edhe me taksat e tyre financohen.”Flaka Media

Flaka
Botuar nga Flaka 5 Qershor, 2025 20:34
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin. Flaka Media