ASH: Me dërgimin në Komisionin e Venecias, ligji për përfaqësim mund të zgjas edhe 1 vit…

Flaka
Botuar nga Flaka 10 Qershor, 2025 16:16

ASH: Me dërgimin në Komisionin e Venecias, ligji për përfaqësim mund të zgjas edhe 1 vit…

Aleanca për Shqiptarët konfirmon kumtesën e mëngjesit ku paralajmëroi se zvarritja e ligjit për përfaqësim të drejtë dhe adekuat nuk është përgjegjësi e ish-ministrit Arben Taravari, por rezultat i drejtpërdrejtë i strategjisë së VMRO-DPMNE-së dhe kryeministrit Hristijan Mickoski.

“Sot u vërtetua ajo që përsëritim prej ditësh. Shefi i tyre, kryeministri Mickoski, deklaroi se Ligji për Përfaqësim të Drejtë do të kalojë së shpejti në një nga seancat qeveritare, por nuk dha afat të qartë. Më shqetësuese është që paralajmëroi se drafti do të dërgohet për vlerësim në Komisionin e Venecias – proces që mund të zgjasë një vit,” thuhet në reagimin e ASH-së.

Aleanca sjell në kujtesë rastin e vitit 2019, kur ligji për përdorimin e gjuhëve u dërgua në Komisionin e Venecias në janar dhe u kthye në dhjetor të po atij viti, duke lënë të kuptohet se e njëjta dinamikë e ngadaltë do të ndjekë edhe ligjin e ri për përfaqësim adekuat.

“Pohimet e Mickoskit janë prova më e qartë se vonesat nuk kanë lidhje me Taravarin. Kjo është një strategji e vetë qeverisë për të vonuar ligjin dhe për të mbajtur shqiptarët pa mbrojtje ligjore,” thekson Aleanca për Shqiptarët.

Nga partia opozitare shqiptare kritikojnë ashpër faktin se sistemi i balancuesit – i cili garantonte përfaqësimin e drejtë të komuniteteve në administratë – u hoq me propozim të ish-ministrit Azir Aliu dhe u përfshi në programin zgjedhor të VMRO-DPMNE-së, “Platforma 1198”.

Aleanca i bën thirrje qeverisë që të ndërpresë “lojën me të drejtat e shqiptarëve” dhe të miratojë menjëherë ligjin pa shtyrje të mëtejshme.

“Çdo zvarritje është një tradhti ndaj votuesve shqiptarë. Përdorimi i Komisionit të Venecias si alibi është mashtrim. Ata që heshtin sot brenda qeverisë, janë vetëm vazalë që nuk përfaqësojnë interesin shqiptar,” përmbyllet reagimi i Aleancës për Shqiptarët. Flaka Media

Flaka
Botuar nga Flaka 10 Qershor, 2025 16:16
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin. Flaka Media