Bujar Osmani: Brenda një dite, tre goditje ndaj shqiptarëve
Ish-ministri i Jashtëm, Bujar Osmani, ka reaguar ashpër ndaj qeverisë aktuale, duke e akuzuar për diskriminim sistematik ndaj shqiptarëve në vetëm një ditë, njofton Flaka
Në një deklaratë publike të shpërndarë në rrjete sociale, Bujar Osmani ka listuar tre raste që sipas tij dëshmojnë për qasjen diskriminuese të qeverisë së re të drejtuar nga VMRO-DPMNE dhe partnerët e saj.
“Vetëm sot,” shkruan Osmani, “ndodhën këto tre raste skandaloze”:
- “Ligji për përfaqësim të drejtë do të dërgohet në Komisionin e Venecias” – një veprim që Osmani e përkthen si vonesë e qëllimshme dhe “garanci që ligji nuk do të miratohet kurrë”.
- “Nëse flet edhe njëherë shqip, do të shkarkohesh.” – një deklaratë e raportuar, që sipas Osmanit u bë ndaj një punonjësi publik për përdorimin e gjuhës shqipe, duke shkelur ligjin për përdorimin e gjuhëve.
- “Nga 22 sportistë të vlerësuar nga qeveria, asnjë shqiptar.” – një tjetër sinjal, sipas tij, i përjashtimit të qëllimshëm të shqiptarëve edhe në sport dhe përfaqësim publik.
Osmani e mbyll reagimin me një thirrje të qartë:
“E gjithë kjo, vetëm për një ditë. Kjo duhet të ndalet sa më shpejt. Zgjedhjet e ardhshme janë REFERENDUM!”
Ish-kryediplomati nënkupton se vota e radhës do të jetë më shumë se zgjedhje – do të jetë një verdikt ndaj një qeverisjeje që, sipas tij, po minon të drejtat elementare të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut. Flaka Media