Flaka thumbon: VLEN fle, VMRO vepron: Sportistët shqiptarë – në tribunë, jo në podium!
Në një ditë të zakonshme për shqiptarët në Maqedoninë e Veriut – pra, një ditë me tre lajme të këqija dhe asnjë përgjigje nga partnerët shqiptarë në pushtet – ndodhi kjo:
📍 1. Ligji për përfaqësim të drejtë u nis në Komisionin e Venecias.
Përkthimi praktik: e përcollëm me valixhe të zeza për t’u humbur rrugës. Bujar Osmani, që ka nisur të flasë më shumë pasi s’është më në pushtet, e përkufizoi si “garanci që ligji nuk do të miratohet kurrë”. Ne të tjerët thjesht e kuptuam si: s’ka shqiptarë të barabartë në administratë edhe për një 10-vjeçar tjetër.
📍 2. “Nëse flet edhe njëherë shqip, do të shkarkohesh.”
Jo, kjo s’është humor i zi, as satirë. Është realitet në ndonjë institucion shtetëror ku shqipja është trajtuar si mall kontrabandë. Deklarata u raportua ndaj një punonjësi publik që kishte guxuar të fliste gjuhën e nënës – në një shtet që e ka të ligjëruar shqipen si gjuhë zyrtare. Ligji ekziston. Zbatimi është opsional – vetëm në 28 Nëntor dhe kur ka zgjedhje.
📍 3. Nga 22 sportistë të shpërblyer nga qeveria – asnjë shqiptar.
As edhe një. Jo se nuk kemi sportistë, por sepse kombëtarja e VMRO-së s’ka vend për lojtarë që flasin shqip. Sporti qenka sferë tjetër ku përfaqësimi nuk paska hyrë në rend dite – ndoshta sepse nuk ka Komision për Venecia për atletët.
⚠️ Ndërkohë në anën tjetër të koalicionit:
VLEN është në “modalitetin meditim”. Disa flasin për negociata të heshtura, të tjerë për heshtje pa negociata. Ndërsa shqiptarët kanë filluar ta përdorin fjalën “barazi” vetëm në fjalorin e kryqëzimeve.














