Al-Hilal mbyll derën për Ronaldon: “Nuk ka logjikë të sjellim simbolin e rivalit”
Drejtori ekzekutiv i Al-Hilal, Esteve Calzada, ka hedhur poshtë zërat për një huazim të mundshëm të Cristiano Ronaldos në klubin e Riyadhit për Kupën e Botës për Klube. Në një intervistë për BBC Sport, Calzada i cilësoi këto raportime si “absurde” dhe theksoi se lëvizje të tilla nuk kanë vend në filozofinë e klubit.
“Respektojmë Ronaldon si një legjendë të futbollit, por nuk do të kishte asnjë kuptim të marrim përkohësisht për 3-4 javë simbolin e rivalit tonë më të madh, Al-Nassr. Kjo do të ishte kundër logjikës sportive dhe ekonomike. Nëse mendon vetëm për këtë turne, rrezikon të marrësh një vendim që të kushton për dy ose tre vite,” deklaroi ai.
Al-Hilal, që tashmë drejtohet nga Simone Inzaghi, nuk ka realizuar goditje të mëdha në këtë merkato, duke ruajtur strukturën e ekipit ekzistues për turneun në SHBA. Calzada vlerësoi grupin aktual, duke shtuar se përforcimet do të vijnë pas turneut.
Në prag të përballjes me Real Madridin, Calzada komentoi edhe për lojtarët e përfolur si Bruno Fernandes, Darwin Núñez dhe Victor Osimhen. Ai theksoi se Al-Hilal ka ambicie të mëdha, por është gjithashtu i kujdesshëm financiarisht: “Nuk printojmë para. Nuk tërhiqemi nga negociatat, por duam lojtarë që të duan të vijnë.”
Për sa i përket Neymar-it, Calzada nuk shfaqi keqardhje për transferimin rekord që u mbyll shpejt për shkak të një dëmtimi të rëndë: “Ai ndihmoi në rritjen globale të klubit. Kemi 42 milionë ndjekës dhe shumë prej tyre qëndruan edhe pas largimit të tij.”
Flaka


















