Alarm në Madrid: Mbappé në dyshim për ndeshjen hapëse në Kupën e Botës për Klube
Real Madrid po përgatitet për debutimin në Kupën e Botës për Klube, por trajneri Xabi Alonso mund të jetë i detyruar të bëjë ndryshime të mëdha në formacion. Sipas raportimeve nga gazetari Edu Aguirre i El Chiringuito TV, ylli i skuadrës Kylian Mbappé është në dyshim për ndeshjen hapëse kundër Al Hilal, pasi nuk është stërvitur sot për shkak të një temperature të lartë.
Ky është një lajm shqetësues për madrilenët, pasi Mbappé, në sezonin e tij të parë me klubin, ka qenë një nga lojtarët më të spikatur, duke fituar Trofeun Pichichi të La Ligas dhe Këpucën e Artë Evropiane. Mungesa e tij do të ndikonte ndjeshëm në sulmin e skuadrës.
Situata e Madridit është edhe më e komplikuar pasi Endrick është i dëmtuar dhe nuk ka një tjetër qendërsulmues natyral në dispozicion. Rodrygo, i cili ka preferuar të luajë në krahun e majtë, dhe talenti nga akademia, Gonzalo Garcia, janë disa nga alternativat që Alonso mund të shqyrtojë.
Lista e dëmtimeve të Real Madrid është e gjatë dhe përfshin Camavinga, Ferland Mendy, Endrick, dhe David Alaba, ndërkohë që Carvajal, Rüdiger, dhe Militao mbeten në dyshim. Me kaq shumë mungesa, sfida kundër kampionëve të Arabisë Saudite bëhet edhe më e vështirë, duke e vendosur Xabi Alonson para një prove të madhe në debutimin e tij si trajner i Real Madridit në një turne madhor.
Nesër pritet të sjellin më shumë informacione mbi gjendjen fizike të Mbappé dhe vendimin e ekipit për ndeshjen e parë.
Flaka














