Fetau: Nuk jemi patericë e Ali Ahmetit – Panduri: Po atëherë jeni patericë e Mickoskit të Vuçiqit?
Zëvendëskryeministri Arben Fetau, i ftuar në emisionin “Debat Plus” në RTV Dukagjini, ka hedhur kritika të drejtpërdrejta ndaj liderit të BDI-së, Ali Ahmeti, duke deklaruar se ai mbështetet në “shumë paterica politike”.
“Ali Ahmeti ka shumë paterica të tij. Ne nuk kemi pranuar të jemi patericë e askujt, aq më pak e Ali Ahmetit,” – u shpreh Fetau gjatë debatit.
Por kjo deklaratë hasi në reagimin e menjëhershëm të gazetarit Ermal Panduri, i cili ngriti një pyetje provokuese në lidhje me bashkëqeverisjen e koalicionit VLEN me VMRO-DPMNE-në:
“Po atëherë, çfarë është më mirë: të jesh patericë e Ali Ahmetit, apo të jesh patericë e Hristijan Mickoskit, i cili është njeri i Vuçiqit?”
Pyetja e Pandurit i vuri në pozitë të ndërlikuar përfaqësuesin e VLEN-it, duke reflektuar pikëpyetjet që kanë dalë në opinionin publik lidhur me orientimin dhe ndikimin politik të qeverisë së re të udhëhequr nga VMRO-DPMNE.
Ky shkëmbim replikash shton edhe më tej tensionet në skenën politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut, ku loja e aleancave vazhdon të jetë në qendër të debatit.
Panduri i drejtohet Fetait: Nuk jemi këtu për thashetheme, nuk ke fakte!
Zëvendëskryeministri Arben Fetau, i ftuar sonte në emisionin “Debat Plus” në RTV Dukagjini, ka bërë deklarata të forta ndaj Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), duke e akuzuar se ka qenë pjesë e shumë skenarëve të errëta në të kaluarën, transmeton Flaka Media
Fetau përmendi konkretisht rastet e njohura dhe të ndjeshme si “Monstra”, “Kumanova” dhe “Alfa”, duke aluduar për involvim të strukturave politike të BDI-së në këto ngjarje që kanë tronditur opinionin publik shqiptar në Maqedoninë e Veriut.
“BDI-ja është pjesë e shumë skenarëve. Nga rasti ‘Monstra’, ‘Kumanova’ e deri te rasti ‘Alfa’. Të gjithë i dimë këto,” – tha Fetau.
Mirëpo, deklaratat e tij hasën në reagimin e menjëhershëm të gazetarit Ermal Panduri, i cili e vuri në dyshim seriozitetin dhe bazën e këtyre pretendimeve.
“Kjo që thoni është thjesht thashetheme. Nuk keni asnjë fakt konkret, as vendim gjyqësor, as dokument. Si vjen në emision për të folur thashetheme pa pasur prova për asnjë nga këto raste?”, reagoi Panduri.
Përballja mes gazetarit dhe zëvendëskryeministrit u zhvillua në një atmosferë të tensionuar, duke nxjerrë në pah ndasitë e thella politike dhe mungesën e transparencës në shumë çështje kyçe që ende rëndojnë ndërgjegjen publike. Flaka Media















