Marshi protestues: Nga Shkupi në Gaza – populli thotë JO
Me moton “Nga Shkupi në Gaza – populli thotë JO!”, qindra qytetarë janë mbledhur sot në Shkup në një marsh protestues të organizuar nga iniciativa qytetare “Të gjithë për Palestinën”. Protesta ka nisur nga objekti i Qeverisë dhe po vazhdon drejt Ambasadës Amerikane.
Organizatorët dhe pjesëmarrësit kanë shprehur kundërshtimin e tyre ndaj rritjes së buxhetit ushtarak të Bashkimit Europian, i cili sipas tyre ka arritur në shifrën rekord prej 800 miliardë eurosh. Ata e cilësojnë këtë si një politikë të gabuar, në një kohë kur qytetarët e vendeve europiane dhe më gjerë përballen me kriza ekonomike, papunësi, mungesë të shërbimeve publike dhe rritje të pabarazisë sociale.
“Kërkojmë që këto fonde të mos shpenzohen për luftëra, por për jetë – për shëndetësi, arsim dhe mirëqenie sociale”, thuhet në një nga fjalimet gjatë marshit.
Pjesëmarrësit mbanin pankarta dhe flamuj palestinezë, ndërsa në sfond dëgjoheshin thirrje për paqe, drejtësi dhe solidaritet me popullin palestinez.
Protesta ka kaluar në mënyrë paqësore dhe është shoqëruar nga forca të sigurisë për të garantuar rendin publik.














