Durmishi në njëvjetorin e Qeverisë: Liston suksese, por të gjitha janë projekte të premtuara nga VMRO-DPMNE
Ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi, në fjalimin e tij me rastin e njëvjetorit të formimit të Qeverisë, prezantoi një pasqyrë të gjerë të punës së institucionit që ai udhëheq. Ai e cilësoi këtë periudhë si “vit të sfidave dhe përkushtimit”, ndërsa listoi një sërë masash dhe projektesh që synojnë përmirësimin e tregut të punës, uljen e papunësisë dhe rritjen e qëndrueshmërisë ekonomike.
“Politikat tona kanë një fije të përbashkët: përmirësimin e cilësisë së jetës, forcimin e tregut të punës dhe sigurimin e rritjes ekonomike dhe stabilitetit,” – theksoi ministri.
Durmishi prezantoi Planin Operativ të Punësimit për vitin 2025, me buxhet rekord prej 2.5 miliardë denarësh (rreth 40 milionë euro), që synon 16.000 qytetarë. Ai vuri theksin te masat për vetëpunësim, përkrahje për ndërmarrjet e vogla, trajnim profesional dhe përkrahje për kategoritë e margjinalizuara.
Por pas këtij fjalimi mbresëlënës, bie në sy një fakt politikisht i rëndësishëm: thuajse të gjitha projektet e përmendura nga ministri Durmishi janë pjesë e programit elektoral të VMRO-DPMNE-së dhe janë premtuar publikisht nga kjo parti gjatë fushatës së vitit 2024.
Ministri shqiptar po paraqet si sukses të tij masat që burojnë nga programi i forcës më të madhe qeverisëse, ndërsa në diskursin e tij mungon çdo referencë për ndonjë iniciativë vetjake apo projekt me identitet të qartë politik shqiptar.
“Paga minimale u ngrit në mars 2025 në 24.379 denarë – rritje prej 8%,” – tha ministri, duke përmendur një nga zotimet kyçe të VMRO-së gjatë fushatës.
“Trajnimet në IT, gjuhë të huaja dhe kategoritë e vozitjes janë pjesë e strategjisë për përgatitje për tregun modern të punës,” – shtoi ai.
Edhe projekti për investimin e kompanisë “Kiel” në Tetovë, një tjetër shembull i paraqitur si sukses i ministrisë, është pjesë e paketës investuese të shpallur paraprakisht nga kabineti i kryeministrit Hristijan Mickoski.
Në fjalimin e tij, Durmishi gjithashtu lavdëroi masat për kufizimin e marzhave të çmimeve dhe kontrollin mbi tregjet, si dhe ligjin e ri për angazhimin sezonal në sektorë si bujqësia dhe hoteleria – të gjitha këto pjesë e strategjisë së përgjithshme të partisë maqedonase në pushtet.
Vëzhgues politikë vërejnë mungesën e një narrative autentike shqiptare në prezantimin e ministrit Durmishi, duke shtuar se kjo shtron pyetjen nëse përfaqësuesit shqiptarë në këtë qeveri kanë agjendë të vetën, apo janë vetëm zbatues të programit të partisë maqedonase.
“Kur shqiptarët në qeveri lavdërojnë punën e tyre, por të gjitha pikat janë copy-paste nga programi i VMRO-së, lind pyetja: ku është interesi shqiptar në këtë qeverisje?” – tha Gent Aliu, ekspert i ekonomisë dhe financave publike, i angazhuar në sitemin bankar privat.
Ndërkaq, përfaqësues të sektorit civil po bëjnë thirrje për monitorim më të rreptë të agjendave të përfaqësuesve shqiptarë në institucionet shtetërore, në mënyrë që bashkëqeverisja të mos jetë vetëm në emër, por edhe në përmbajtje.

















