Zenku: Diaspora shqiptare u keqpërdor si trup votues pa të drejta reale
Kryeredaktori i Flaka Media Group, Driton Zenku, në një debat të zhvilluar në emisionin “Ura” në RTSH, ka kritikuar ashpër mënyrën se si diaspora shqiptare nga Maqedonia e Veriut është trajtuar nga politika vendore, veçanërisht në aspektin zgjedhor.
Duke komentuar përfshirjen e diasporës në proceset zgjedhore, Zenku theksoi se për vite me radhë ajo është keqpërdorur sistematikisht, duke u reduktuar në një “trup votues”, pa ndikim real dhe pa të drejta të barabarta.
“Diaspora shqiptare është parë vetëm si trup votues, por pa të drejta reale,” deklaroi Zenku.
“Për vite me radhë, tre deputetë të zonës së diasporës janë zgjedhur maqedonas, ndonëse raporti real në diasporë është 90 me 10 në favor të shqiptarëve.”
Sipas Zenkut, një nga arsyet kryesore të këtij fenomeni është infrastruktura e dobët zgjedhore dhe procedurat burokratike të ndërlikuara, të cilat kanë pamundësuar pjesëmarrjen e plotë të qytetarëve shqiptarë jashtë vendit.
“Ky është rezultat i procedurave burokratike, infrastrukturës së pamjaftueshme dhe manipulimeve të drejtpërdrejta me votën,” shtoi ai.
Zenku kritikoi gjithashtu mënyrën e mëhershme të votimit përmes përfaqësive diplomatike, duke e cilësuar atë si të papërshtatshme dhe dekurajuese, sidomos për shqiptarët që jetojnë në zona të largëta nga ambasadat ose konsullatat.
Ky qëndrim është në linjë me shqetësimet e kahershme të mërgatës shqiptare, e cila kërkon jo vetëm të drejtë votimi, por edhe garanci për përfaqësim real e të drejtë në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut. Flaka
















