Regjistrimi i parakohshëm – ASH: Nuk do të lejojmë masakër demografike
Aleanca për Shqiptarët ka reaguar ndaj paralajmërimit të ministrit për Transformim Digjital, Stefan Andonovski, për realizimin e një regjistrimi digjital të popullsisë në vitin 2026 – pesë vite përpara afatit të rregullt që është paraparë për vitin 2031.
Në një deklaratë zyrtare, ASH e ka cilësuar këtë nismë si një “hap të rrezikshëm dhe të qëllimshëm për të manipuluar realitetin demografik të shqiptarëve”, duke e konsideruar atë në kundërshtim me standardet ndërkombëtare statistikore dhe udhëzimet e Eurostat-it.
“Ky paralajmërim, në kushtet aktuale politike, nuk është thjesht një veprim teknik, por një hap i paramenduar për të deformuar përqindjen reale të shqiptarëve,” – thuhet në deklaratë.
ASH thekson se regjistrimet e popullsisë sipas udhëzimeve të Eurostat-it realizohen në dekada të plota – në vitet që përfundojnë me “0” ose “1”, siç është viti 2030 apo 2031 – dhe se çdo devijim nga kjo praktikë është politikisht i motivuar.
Qeveri monoetnike pa legjitimitet shqiptar
Aleanca për Shqiptarët ka cilësuar qeverinë aktuale të udhëhequr nga VMRO-DPMNE si “monoetnike dhe pa legjitimitet politik shqiptar”, duke rikujtuar vendimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese që hodhi poshtë ndarjen diskriminuese të popullsisë në “rezidentë” dhe “jo-rezidentë”.
“Kjo ndarje kishte vetëm një qëllim: uljen artificiale të përqindjes së shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut. Sot, me regjistrimin digjital, qeveria po tenton ta realizojë këtë objektiv në një tjetër formë.”
ASH e sheh këtë iniciativë si pjesë të një plani të strukturuar të VMRO-DPMNE-së për të riformatuar realitetin demografik, duke rrëzuar themelet e Marrëveshjes së Ohrit dhe duke minuar balancën ndëretnike në vend.
“Do të përballeni me shqiptarët, jo me VLEN-in”
Në deklaratë, Aleanca i dërgon një mesazh të drejtpërdrejtë qeverisë:
“Ne i paralajmërojmë publikisht VMRO-DPMNE-në dhe kryeministrin Mickoski se nuk do të lejojmë zbatimin e një regjistrimi të tillë të manipuluar dhe se do të përballen me shqiptarët – me popullin, me organizatat dhe me forcat e vërteta demokratike, jo me përfaqësuesit e VLEN-it që po e justifikojnë çdo hap të kësaj qeverie antishqiptare me kokën në thes.”
ASH paralajmëron se zgjedhjet lokale të tetorit do të jenë shuplaka e parë politike ndaj këtij kursi dhe nisja e “betejës së madhe për mbrojtjen e së vërtetës statistikore”.
“Regjistrimi i popullsisë nuk do të ndodhë sipas vullnetit të Mickoskit, as sipas agjendave të ndikuara nga ‘Bota Serbe’. Ne nuk do të lejojmë manipulim me identitetin, me numrat dhe me të ardhmen e shqiptarëve.”
“VLEN është bashkëfajtor historik – është koha të riktheheni te populli”
ASH i drejtohet drejtpërdrejt përfaqësuesve të VLEN-it, duke i cilësuar si bashkëfajtorë të një padrejtësie historike nëse vijojnë të heshtin.
“U bëjmë thirrje përfaqësuesve të VLEN-it që të reflektojnë sa nuk është vonë, të rikthehen te populli dhe të mos presin që t’u ndodh populli. Heshtja dhe servilizmi përballë padrejtësive nuk janë zgjidhje – janë bashkëfajësi historike.”
Në përmbyllje, Aleanca për Shqiptarët deklaron se do të jetë në krye të frontit qytetar, politik dhe institucional për të mbrojtur barazinë, përfaqësimin dhe dinjitetin e shqiptarëve.
“Ne nuk do të lejojmë një masakër demografike! Shqiptarët nuk janë statistikë që manipulohet – janë themel i këtij shteti dhe aktorë vendimtarë të së ardhmes së tij.” Flaka Media
















