Regjistrimi i popullsisë nxit shqetësim dhe kundërshtim nga opozita shqiptare
Paralajmërimi i ministrit për Transformim Digjital, Stefan Andonovski, për realizimin e një regjistrimi të parakohshëm digjital të popullsisë në vitin 2026 ka shkaktuar reagime të forta nga opozita shqiptare në Maqedoninë e Veriut, transmeton Flaka. Aleanca për Shqiptarët dhe Bashkimi Demokratik për Integrim kanë dalë me deklarata të ashpra duke e cilësuar këtë proces si të rrezikshëm, të njëanshëm dhe të motivuar politikisht.
ASH: “Po përgatitet një masakër demografike ndaj shqiptarëve”
Aleanca për Shqiptarët shprehu kundërshtim të vendosur ndaj regjistrimit të parakohshëm, i cili planifikohet për vitin 2026, pesë vite para afatit të rregullt për vitin 2031.
“Ky paralajmërim, në kushtet aktuale politike, nuk është thjesht një veprim teknik, por një hap i paramenduar për të deformuar përqindjen reale të shqiptarëve,” – thuhet në deklaratën zyrtare të ASH-së.
ASH e cilëson këtë proces si tendencioz dhe provokues, duke rikujtuar se standardet ndërkombëtare, përfshirë ato të Eurostat-it, parashikojnë që regjistrimet e popullsisë të bëhen në dekada të plota – zakonisht në vitet që përfundojnë me “0” ose “1”.
“Qeveria monoetnike e udhëhequr nga VMRO-DPMNE nuk ka legjitimitet shqiptar për të udhëhequr një proces kaq të ndjeshëm. Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për të hedhur poshtë ndarjen diskriminuese ‘rezident/jo-rezident’, regjistrimi i parakohshëm është përpjekja e radhës për manipulim.”
Aleanca thekson se ky është sulm ndaj themeleve të Marrëveshjes së Ohrit, dhe paralajmëron:
“Nuk do të lejojmë zbatimin e një regjistrimi të tillë të manipuluar. Do të përballeni me shqiptarët – me popullin, me organizatat dhe me forcat e vërteta demokratike, jo me VLEN-in që po e justifikon çdo hap të kësaj qeverie antishqiptare me kokën në thes.”
“Shuplaka politike në tetor – dhe fillimi i betejës për të vërtetën statistikore”
Aleanca për Shqiptarët ka paralajmëruar se zgjedhjet lokale të tetorit do të shënojnë fundin e mashtrimit dhe nisjen e “betejës së madhe për mbrojtjen e së vërtetës statistikore, përfaqësimit dhe të ardhmes euroatlantike të vendit”.
“Ne nuk do të lejojmë një masakër demografike! Shqiptarët nuk janë statistikë që manipulohet – janë themel i këtij shteti dhe aktorë vendimtarë të së ardhmes së tij.”
ASH gjithashtu drejton një thirrje të hapur për reflektim ndaj përfaqësuesve të VLEN-it:
“Heshtja dhe servilizmi përballë padrejtësive nuk janë zgjidhje – janë bashkëfajësi historike. Rikthehuni te populli, sa nuk është vonë.”
BDI: “Mickoski po zbaton një agjendë nacionaliste për përjashtimin e shqiptarëve”
Edhe Bashkimi Demokratik për Integrim ka reaguar ndaj zhvillimeve të fundit, duke akuzuar VMRO-DPMNE-në për implementimin e një strategjie për spastrimin gradual të shqiptarëve nga pushteti shtetëror dhe institucional.
“Që nga viti 2022, Hristijan Mickoski refuzoi publikisht të pranojë rezultatet e regjistrimit ku shqiptarët përbëjnë 29.5% të popullsisë. Ai premtoi një ‘regjistrim elektronik’ për të korrigjuar këtë rezultat – dhe sot, këtë po e realizon përmes institucioneve të kapura.”
BDI thekson se ky është vetëm një nga elementët e platformës së Mickoskit, të përmbledhur sipas tyre nën sloganin e rrezikshëm: “T’iu tregohet vendi shqiptarëve”.
“Po shfuqizohet Balancuesi, po dobësohen mekanizmat kundër majorizimit, po largohet gjuha shqipe nga institucionet, dhe shqiptarët po përjashtohen nga administrata, siguria dhe mbrojtja.”
VLEN – pjesë e problemit?
Të dyja partitë opozitare shqiptare e kanë drejtuar gishtin drejt VLEN-it, duke e akuzuar për bashkëpunim me VMRO-në në legjitimimin e kësaj agjende përjashtuese.
“Ata janë të kapur dhe të shantazhuar. Po krijojnë përshtypjen e rreme të një qeverie multietnike, ndërkohë që çdo ditë po zhduken elementët e bashkëjetesës dhe barazisë në shtet,” – thuhet në reagimin e BDI-së.
BDI përmbyll deklaratën me një mesazh të prerë:
“Shqiptarët nuk do të bëhen subjekt i një inxhinieringu digjital. Këto përpjekje nuk do të kalojnë. Qytetarët janë të vetëdijshëm dhe të vendosur për të mbrojtur të ardhmen e tyre në këtë shtet.” Flaka
















